Futboll

Sadiku përlotet pas golit, Berisha dhe Gjimshiti i përulen Milanit

Armando Sadiku ka ndjerë sërish emocionet e golit, ato emocione që kohët e fundit i kishte harruar, për shkak të vështirësive që ka kaluar nga dëmtimi dhe aktivizimi i pakët. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë luajti titullar me Luganon në ndeshjen ndaj Lucernës, ku shënoi golin e parë, që i hapi rrugën fitores së thellë të skuadrës së tij, 0-3. Ishte një gol shumë i rëndësishëm për ekipin dhe vetë Sadikun, i cili nuk i përmbajti dot lotët, pasi e dërgoi topin në rrjetë.

Sulmuesi ka kaluar ndoshta momentin më të vështirë të karrierës dhe tani po kthehet gradualisht në formën e mëparshme. Për nga mënyra e realizimit, ishte një gol i ngjashëm më atë që Armando Sadiku realizoi në Europianin e Francës ndaj Rumanisë, që ishte edhe goli i vetëm i kuqezinjve në këtë kompeticion. Zvicra dhe Lugano duket se i sjellin fat futbollistit elbasanas. Goli ndaj Lucernës ishte i pari pas kthimit te Lugano dhe ky është një lajm i mirë për trajnerin Kristian Panuçi, pasi do të ketë në formë të mirë për kualifikueset e Europianit një nga sulmuesit më të rëndësishëm.

Berisha pëson golin e dytë nga Çalhanoglu

Dy kuqezinj të tjerë, portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, të dy titullarë në formacionin e Atalantës, kanë humbur sfidën direkte me Milanin për vendin e katërt në Serinë A. Edhe pse luhej në Bergamo, kjo ndeshje është fituar nga Milani, me rezultatin 1-3, që do të thotë se tashmë vendi i fundit që të çon në Champions League është bërë shumë i vështirë për Berishën dhe Gjimshitin. Atalanta e tyre kaloi e para në avantazh, por më pas pësoi tre gola dhe doli e mundur para tifozëve të saj. I zakonshmi Piatek dhe Çalhanoglu shënuan golat e fitores me shumë vlera për skuadrën e Gatuzos, që tashmë kërcënon Interin për vendin e tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë