Futboll

Kardifi kërkon ulje për pagesën e Sala, çmimi u rrit artificialisht

Në ditën e ceremonisë mortore të Emiliano Sala, i cili humbi jetën tragjikisht pas rrëzimit të avionit në kanalin e Lë Manshit, është hapur një kapitull i ri në “luftën” mes Kardifit dhe Nantës për pagesën e transferimit të lojtarit argjentinas. Klubi francez është gati t’i drejtohet UEFA-s, pasi nuk e ka përfituar ende shumën e 17 milionë eurove, sipas marrëveshjes me Kardifin. Klubi anglez, në anën tjetër, po përpiqet të kuptojë, nëse çmimi ishte rritur për shkak të një ankandi fiktiv nga Uilli MekKei, ish-prokuratori i sulmuesit.

Kanë kaluar emocionet e dhimbjes për lamtumirën e Emiliano Salas nga ai aksident i tmerrshëm, kur avioni me të cilin po shkonte drejt Kardifit, u rrëzua. Tani është koha e llogarive. Avokatët e Kardifit po kontaktojnë me klube të tjera të Premier League për të kuptuar, nëse Evertoni, Uest Hemi, Kristal Palas, Fulhemi, Bërnli dhe Volverhemptoni ishin realisht të interesuar për argjentinasin, apo ishin pjesë e një strategjie që solli rritjen e çmimit të kartonit të lojtarit.

Emiliano Sala, duke pozuar me fanellën e Kardifit

Praktikisht, Kardifi po kërkon një ulje në këtë rast. Nëse ankandi për Salan ka qenë fiktiv, vlera reale e kartonit të tij është më e ulët. Një ndihmë në këtë rast mund ta japë agjenti MekKei, që në një e-mail dërguar Sala, shkruante se kishte folur me mediet sportive për oferta skuadrash të tjera pikërisht për të rritur interesimin ndaj tij. Gjithsesi, këto përpjekje duken të kota për Kardifin, sepse edhe nëse ka qenë një ankand fiktiv, është pjesë e logjikës së merkatos. Në çdo mënyrë, çmimi final është firmosur nga të dy klubet në kontratën e blerjes së sulmuesit nga Kardifi, që tani duhet të shlyejë Nantën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë