Futboll

Cungu i larguar nga Kukësi, pritet vetëm zyrtarizimi

Pas humbjes në Durrës, trajneri Armando Cungu i kishte orët e numëruara në stolin e Kukësit. Një ditë më pas u përhap lajmi për shkarkimin nga detyra të trajnerit shkodran, por që ende nuk është zyrtarizuar nga klubi i Kukësit. Presidenti Safet Gjici nuk fal në situata të tilla, ku pas investimeve të bëra edhe në merkaton e dimrit, skuadra e tij jo vetëm që nuk e kaloi Partizanin, por iu largua më shumë rivalit për titull dhe ky objektiv tani duket i pamundur për t’u realizuar.

Drejtimin e skuadrës kuksiane pritet ta marrë Ramadan Ndreu, pjesë e stafit drejtues të klubit verilindor. Por edhe për këtë mungon zyrtarizimi. Presidenti Safet Gjici ka pasur një takim paraditen e së dielës me trajnerin Cungu, me shumë gjasa për mbylljen e bashkëpunimit mes tyre. Cungu ka munguar në stërvitje, çka e bën thuajse të sigurt largimin përfundimtar të tij. Kukësi është drejtuar në stërvitje nga Rrahman Hallaçi, ndihmësi i trajnerit shkodran, që e kishte marrë drejtimin e ekipit verën e kaluar.

Armando Cungu

Kukësi ka bërë dy humbje radhazi dhe trysnia mbi këtë ekip u duk qartë sidomos në ndeshje me Teutën, ku nga avantazhi 0-1, u përmbys në pak minuta në 2-1. Pas blerjeve të bujshme të janarit, presidenti Gjici i dha një mesazh të qartë trajnerit Cungu dhe ekipit, duke e kaluar “topin” në fushën e tyre, por nuk mori përgjigjen e duhur dhe tani lëvizja në stol duket e pashmangshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë