Futboll

Gjici votëbeson Cungun, por trajneri duhet të jetojë në Tiranë

Ndryshon situata te Kukësi. Armando Cungu ka marrë votëbesimin e presidentit Safet Gjici dhe do të vazhdojë ta drejtojë Kukësin. Një ditë pas humbjes në Durrës u bë gati i sigurt largimi i Cungut, por duket se humbja e Partizanit në Laç e ka zbutur zemërimin e drejtuesve të Kukësit. Numrin 1 të klubit verior e bën optimist loja e skuadrës. Safet Gjici ka zgjedhur ta dalë vetë në një konferencë shtypi, ku ka sqaruar pozicionin e trajnerit shkodran, ndaj të cilit ka besim absolut, por ka edhe një kusht: trajneri duhet të jetojë në Tiranë!

“Trajneri ishte pushim një ditë pas ndeshjes dhe nuk ka pasur asnjë vendim për largimin e tij. Cungu ka besimin tim absolut, sepse loja e Kukësit nuk ka qenë e keqe, pavarësisht rezultateve. Kukësi po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Në Durrës luajtëm shumë mirë, mund të merrnim edhe një penallti, por arbitri e humbi qetësinë. Nëse do ta kisha larguar Cungun, do ta kisha bërë zyrtare. Jam unë ai që merr vendimet, trajnerin nuk mund ta pushojnë mediet. Bisedova me trajnerin dhe lojtarët, edhe ata kanë përgjegjësi. Duhet qetësi për ndeshjet e ardhshme. Ka pasur shumë ndryshime në skuadër dhe duhet kohë. Cungut thjesht i kam kërkuar të jetojë në Tiranë, sepse nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje në Shkodër”, – u shpreh presidenti i Kukësit, Gjici.

Kukësi para ndeshjes me Teutën në Durrës

Drejtuesi kryesor i klubit verilindor ka vlerësuar lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit, por nuk i ka kursyer kritikat për mbrojtjen, përgjegjëse direkte, sipas tij, për humbjen në Durrës: “Kemi skuadër cilësore dhe blerjet e dimrit janë të shkëlqyera. Merkatoja është bërë në koordinim me trajnerin. Në Durrës më zhgënjeu mbrojtja. Është e papranueshme të humbësh ashtu, duke pësuar 2 gola për 3 minuta. Kemi lojtarë me eksperiencë, lojtarë kampionë. Nuk ka presion, por duhet kohë për të gjetur ekuilibrat. Na ka prishur shumë punë dëmtimi i Musollit. Nuk ka gjoba, përkundrazi ka premio, nëse bëjmë 4 fitore radhazi. Për titullin kampion janë në garë 3 skuadra, është edhe Teuta”, – theksoi Gjici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë