Lajme

Armë pa leje, drogë dhe lojëra fati. 4 në pranga, 4 procedohen penalisht

Policia e Shtetit ka bërë me dije se gjatë 12 orëve të fundit ka pasur 7 denoncime nga qytetarët për paligjshmëri në fushën e armëmbajtjes pa leje, lëndëve narkotike dhe lojërave të fatit.
Në pranga kanë rënë 4 persona, si dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Gjatë aksioneve të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit, krahas arrestimeve janë sekuestruar lëndë narkotike, armë zjarri, municion luftarak, tavolina pokeri, aparate celular e laptop.
Në Shkodër është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi D. S., 22 vjeç, banues në qytetin e Pukës, me një armë zjarri kallashnikov, e cila iu gjet gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij.
Në Librazhd, shërbimet e Policisë, pas telefonatës nga qytetarët kanë finalizuar operacionin e koduar “Qafë Driza”, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, shtetasit L. M 49 vjeç i kanë gjetur 14 copë fishekë, si dhe rreth 7 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa shtetasi L. M., është arrestuar në flagrancë.
Në Lezhë është vënë në pranga shtetasi R. G., 50 vjeç, pasi pas informacionit të marrë dhe kontrollit të ushtruar në banesën dhe territorin përreth banesës së shtetasit R. G., policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Ndërsa në Vlorë është arrestuar në flagrancë 36-vjeçari S. D pasi nga kontrolli fizik, policia i ka gjetur 30 doza lënde narkotike të dyshuar kanabis.
Po ashtu janë evidentuar dhe goditur tri raste të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në Tiranë është proceduar penalisht shtetasi F. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Myslym Shyri” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi u gjet një tavolinë pokeri, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në Berat është proceduar penalisht shtetasi A. Z., 47 vjeç, banues në Poliçan, pasi në subjektin “Bar-Kafe” ushtronte aktivitet pa kasë fiskale dhe lojëra fati (loto sporti). Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një laptop.
Në Elbasan janë proceduar penalisht pronarët e një subjekti, shtetasit I. Ç., 38 vjeç dhe G. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Vidhas, Elbasan, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tyre ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë