Futboll

Solari në rrezik dhe Bejl në merkato. Perez përgatit revolucionin

Sa shpejt ndryshojnë gjërat kur punon te Reali i Madridit. Mjafton një ditë e keqe dhe bota përmbyset. Një javë më parë dukej i sigurt konfirmimi i Santiago Solarit në stolin madrilen, pasi të gjithë flisnin për merita të trajnerit argjentinas, për zgjedhje të goditura dhe rikthim të fuqishëm të skuadrës kampione të Europës. Pastaj erdhi humbja e tmerrshme me Xhironën dhe situata u përmbys. Tani Solari gjendet përballë ultimatumit të presidentit Florentino Perez.

Lajmi është zbuluar nga “El Chiringuito”, që kohët e fundit ka qenë gjithmonë para të tjerëve sa u takon lajmeve në lidhje me Realin. Mbrëmjen e së martës, Solari mori një ftesë për darkë, që do të kishte preferuar ta evitonte. Ai darkoi me presidentin Florentino Perez, drejtorin e përgjithshëm Jose Angel Sançez dhe drejtorin sportiv Ramon Martinez. Më shumë se dy orë ka zgjatur kjo darkë, ku trajnerit i është bërë gjithçka e qartë: Real të Madridit nuk i lejohet më asnjë hap fals dhe një humbje tjetër do t’i kushtonte vendin e punës. Humbja mund të vijë që në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit me Barcelonën, që do të thoshte eliminim, ndërsa një humbje në kampionat do të thoshte lamtumirë përfundimtare.

Perez dhe Solari

Nuk është e lehtë të flasësh me emra për pasuesin e mundshëm të Solarit, i cili do ta çonte përpara skuadrën deri në fund të sezonit. Presidenti Florentino Perez di t’i zgjidhë situatat dhe do ta gjente me siguri një trajner brenda klubit për këtë periudhë, siç ka ndodhur në të shkuarën. Për të ardhmen, emri i Mourinjos po humbet kuota, Poketino mbetet një opsion i rëndësishëm, edhe pse Totenhemi kërkon 40 milionë euro për ta lënë të lirë. Ëndrra e vërtetë e Perezit është Masimiliano Alegri, por erdhe për të nuk do të jetë e lehtë.

Stoli është një problem, por edhe më keq është situata në dhomat e zhveshjes. Detajet e fundit tregojnë se me shpërthimin e brazilianit Vinicius, – tashmë vendimtar për kreativitetin e skuadrës, – Gereth Bejl ka dalë në merkato. Destinacioni i mundshëm i tij është Premier League, saktësisht Mançester Junajtid, që prej kohësh ëndërron ta kthejë uellsianin në ishull. Një operacion që mund të kapë vlerën e 100 milionë eurove, një shifër që për Mançesterin është e përballueshme.

Toshak, kur drejtonte Realin

Pastaj është çështja “Marselo”, i cili ditët e fundit ka takuar drejtuesit e klubit dhe u ka kërkuar që të largohet nga reali në fund të sezonit. Braziliani kërkon të lërë Madridin, pavarësisht fatit të trajnerit Solari, i cili e ka lënë në stol. Shpreson të ritakohet me Kristiano Ronaldon te Juventusi, por kjo mbetet për t’u parë. Për t’i hedhur benzinë zjarrit të polemikave ka menduar edhe Xhon Toshak, ish-trajner i Realit, që ka thënë:

“Marselo duhet të largohet nga Reali, ka luajtur shumë sezone të mira, por vjen një moment kur duhet të mendosh për gjëra të tjera. Por nuk është vetëm Marselo që kërkon të largohet, është gjysma e skuadrës. Nëse një person shkon të punojë në një vend, duhet të mësojë gjuhën e atij vendi, ose të përpiqet ta mësojë. Pas 6-7 vitesh në një skuadër, duhet respekt, të paktën për t’i shprehur idetë në të njëjtën gjuhë me lojtarët e tjerë. Bejl dhe Marselo janë në merkato, Reali po përgatit revolucionin e madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë