Politike

Rama: S’ka zgjedhje para 2021!

Djegia e mandateve, protesta e opozitës dhe klima e tensionuar politike duket se po merr një vëmendje të madhe nga mediat ndërkombëtare, sidomos ato të Italisë fqinje. Ndërkohë që opozita dhe mijëra qytetarë protestonin përpara parlamentit, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një interviste për një tjetër media italiane, “Il Messaggerio”.

Kreu i qeverisë ka folur për situatën politike në vend dhe më konkretisht protestat e zhvilluara nga opozita. I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Rama ka thënë se ato nuk do të mbahen në vitin 2021.

“Duan që unë të dorëhiqem për të bërë një qeveri tranzitore. Është si t’i kërkosh Juventusit, meqë është shumë i fortë, që të pranojë formacionet që bëjnë të tjerët, jo trajneri i saj dhe që të shkojë në fund të klasifikimit për ta nisur kampionatin nga e para… pa Ronaldon!. Qeveritë tranzitore bëhen kur ka probleme përfaqësimi, ndërsa ne kemi mazhorancën absolute dhe jemi përpara në të gjitha sondazhet. Nuk është një lojë, kemi jo vetëm të drejtën, por detyrën për të përfaqësuar vullnetin e zgjedhësve. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2021”, deklaron kryeministri

Protesta e opozitës

Sipas kreut të shtetit, protesta e sotme e opozitës së bashkuar nuk është një manifestim që përfaqëson vullnetin e popullit por të opozitës.

“Por çfarë proteste popullore! Ne nuk po ballafaqohemi me jelekverdhët, studentët, sindikatat apo forca të tjera shoqërore. Kjo është protestë e organizuar nga estabilishmenti, i cili pesë vite e ca më parë u shporr nga vrulli i popullit me një milion vota. Më vjen keq që mediat italiane i kanë dhënë aq shumë rëndësi një manifestimi të opozitës i cili ka nxitur dhunë të pashembullt”, thotë kryeministri. “Italianët duhet ta dinë se ne jemi thjesht në prag të zgjedhjeve administrative. Opozita është shumë prapa në sondazhe dhe pritet të humbasë në pothuajse çdo qytet”, thotë ai.

I pyetur nga gazetarët italianë sesi do të veprohet pas djegies së mandateve nga ana e opozitës, Rama thotë: “Ma thoni ju, edhe ju keni kaluar një fazë të një opozite kundërshtare që tani është në qeveri, por nuk kam dëgjuar kurrë të ketë kërcënuar se do të djegë mandatet parlamentare.”

Kryeministti u është përgjigjur edhe akuzave të PD-së për vjedhje elektorale, duke u shprehur se para zgjedhjeve, një vit e gjysmë më parë, edhe pse kishte maxhorancën, pranoi një kompromis për të cilën, opozita mori gjysmën e qeverisë, përfshi edhe Ministrinë e Brendshme.

Protesta e opozitës

Sipas Ramën, OSBE ka legjitimuar rezultatin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, por PD-ja filloi ta kundërshtonte këtë rezultat në tetor kur nisi beteja për lidershipin e partisë.

“OSBE ka rekomanduar të kryhet reforma zgjedhore për të përmirësuar sistemin dhe ne kemi ftuar opozitën për ta shkruar dhe do ta kishim miratuar atë. Përkundrazi, ata braktisën Parlamentin për 6 muaj”, thotë Rama.

Ai ka komentuar po ashtu edhe krahasimet me Maduron, duke thënë se ndryshe nga Venezuela, në Shqipëri, amerikanët dhe Evropa i kanë kërkuar opozitës për t’iu nënshtruar parimeve demokratike. “Nëse do të isha Maduro, do të kisha probleme me SHBA-në apo BE-në. Opozita jep një imazh të rremë të vendit dhe të ardhmes të Shqipërisë”, thotë kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë