Policia e Shtetit gjatë operacionit policor “Aplikacioni” ka proceduar penalisht 8 shtetas brenda një dite në Tiranë. Ata janë proceduar pasi në kundërshtim me ligjin vijonin të ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 13 aparate “Dream box” dhe “Smart box”, 9 aparate celularë smartphone, 2 kompjuter laptop.
Personat e proceduar kishin role të ndryshme, kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të organizimit të lotarive sportive të palejuara, duke përdorur aplikacione dhe platformë në kompjutera, laptop, tableta dhe smartphone. Këta shtetas nëpërmjet llogarive që krijonin në mënyrë elektronike u aksesonin klientëve të tyre bileta elektronike për baste sportive.
Policia bën me dije se ky aksion është shtrirë në shkallë vendi, ku raportohet se janë kryer kontrolle në 7697 ambiente dhe janë proceduar penalisht 70 shtetas duke nisur nga muaji janar.
Nga aksionet e shtrira që nga muaji janar janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 27 kompjutera, 5 makineta, 7 televizorë, 12 tavolina pokeri, 1100 çipsa.
Nga fillimi i zbatimit të Ligjit Nr. 75, datë 25.10.2018, më datën 01.01.2019 dhe deri më datë 20.02.2019, janë evidentuar 12 raste të aktivitetit “Tavolina Poker” si: në Tiranë 6 raste; në Durrës 1 rast; në Berat 2 raste; në Krujë 1 rast; në Librazhd 1 rast; në Shkodër 1 rast.
Në të gjitha këto raste janë sekuestruar tavolinat e pokerit, çipsat dhe letrat e bixhozit dhe janë referuar çështjet në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë sipas territorit që mbulojnë.
Gjatë operacionit në shkallë vendi, Strukturat e Policisë së Shtetit kanë identifikuar, zbuluar dhe evidentuar 2685 adresa (linke) të cilat ushtrojnë këtë aktivitet dhe i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, mbylljen e aksesit për adresa të identifikuara si të dyshuara për vazhdim të ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit dhe basteve sportive online.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka bërë me dije se po punohet me intensitet për identifikimin e rasteve, referimin në organet e prokurorisë, procedimin penal dhe ndëshkimin final të këtij fenomeni, duke bashkërenduar veprimet ndërinstitucionale çdo ditë me partnerë të tjerë si AKEP, Hetimin Tatimor, agjencitë ligjzbatuese dhe me partnerin më të rëndësishëm, qytetarët, të cilët përditë e më shumë po besojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për të luftuar paligjshmërinë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje