Futboll

Sfidë pa “krahë” në Korçë, Partizanit nuk i falen dy gabime radhazi

Tirana ka qenë një kundërshtar shumë i vështirë për Skënderbeun në vitet e fundit, kur ekipi korçar ka bërë histori me titujt radhazi të fituar. Korçarëve u ka ecur me Partizanin në përgjithësi, por jo me Tiranën, edhe kur bardheblutë kanë qenë në momentet më të vështira. Java e 23-të e Superiores nis të premten pikërisht nga Korça, në një sfidë të dëshpëruarish mes Skënderbeut dhe Tiranës, që rrugën e vetme për të fituar trofe kanë atë të Kupës së Shqipërisë, sepse në kampionat nuk kanë më shanse.

Një sfidë ndryshe nga sezonet e fundit. Skënderbeu në vend të 5-të dhe Tirana edhe më poshtë, në vend të 7-të. Korçarët vijnë nga humbja në Vlorë dhe kryeqytetasit nga barazimi dramatik në fushën e tyre me Luftëtarin. Në stadiumin e Korçës pritet futboll i hapur, të dyja skuadrat synojnë të reagojnë me fitore. Skënderbeu ka favorin e fushës, ndërsa Tirana ka më pak presion. Të dyja skuadrat kanë mungesa shumë të rëndësishme në krahët e mbrojtjes. Trajneri Orges Shehi, përveç Dejvi Bregut të dëmtuar, nuk ka në dispozicion edhe Kristi Vangjelin, një titullar me shumë përvojë, që në ndeshje të tilla është i domosdoshëm. Në anën tjetër, trajneri Ardian Mema duhet të bëjë pa Erjon Hoxhallarin, mbrojtësin e krahut të majtë dhe një nga pikat më të forta të Tiranës. Parashikohet një ndeshje e balancuar në Korçë, ku vendësit kanë nevojë për 3 pikët, ndërsa Tiranën do ta kënaqte edhe barazimi.

Trajneri Shehi, Bregu dhe Vangjeli. Të dy lojtarët mungojnë ndaj Tiranës

Java e 23-të e Superiores luhet në tri ditë dhe vazhdon të shtunën me Luftëtari-Teuta dhe Partizani-Flamurtari. Të dielën luhen dy ndeshjet e fundit, Kastrioti-Laçi dhe Kukësi-Kamza. Partizani është “i dënuar” të kthehet te fitorja, pas humbjes në Laç. Pret Flamurtarin e përgjysmuar nga largimet e ditëve të fundit, por vlonjatët nuk dorëzohen lehtë dhe trajneri Gega këtë gjë e di mirë. Nuk falen dy gabime radhazi. Të kuqtë duhet minimalisht të ruajnë diferencën prej 7 pikësh me ndjekësin më të afërt, që tashmë është Teuta. Durrsakët luajnë në transfertën e vështirë të Gjirokastrës, por gëzojnë një formë të mirë dhe pritet që të duelojnë deri në fund për titullin.

Nga ndeshja Partizani-Flamurtari e fazës së parë

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, pasi konfirmoi Armando Cungun në stol, ka vënë si kusht 4 fitore radhazi për skuadrën e tij, duke nisur nga ndeshja e kësaj jave me Kamzën, që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Në këtë ndeshje debuton në stolin e Kamzës Gentian Stojku, i cili pasoi Ernest Gjokën në këtë detyrë. Kastrioti, që po rritet shumë në javët e fundit, e pret Laçin në stadiumin e Durrësit, pasi është i dënuar nga Disiplina dhe kurbinasit, që luftojnë për një vend në Kupat e Europës, kanë një shans të mirë për fitore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë