Gati gjashtë dekada pas krizës së raketave në Kubë, SHBA-ja dhe Rusia duket se janë tanimë përballë një përplasje të ngjashme, e cila mund ta çojë sërish botën në prag të luftës.
Raportet se Uashingtoni mund të vendosë raketa me rreze të mesme në Europë duke dalë nga traktati bërthamor me Rusinë, kanë alarmuar Moskën, e cila ka paralajmëruar të kundërpërgjigjet “më të njëjtën monedhë”.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të mërkurën se Rusia është ushtarakisht e gatshme për një krizë raketash të ngjashme më atë të Kubës nëse Shtetet e Bashkuara vendosnin raketa bërthamore hipersonike në kontinentin e vjetër. Ai kërcënoi se do të vendoste raketa në anije ose nëndetëse pranë ujërave territoriale amerikane.
Kriza e raketave të Kubës shpërtheu në vitin 1962 kur Moska iu përgjigj një vendosje të raketave të SHBA –së në Turqi duke dërguar raketa balistike në ishull, një përplasje që e solli botën në prag të luftës bërthamore.
Por tanimë, tensionet po rriten sërish mes raporteve se Shtetet e Bashkuara të mund të vendosin raketa bërthamore me rreze të mesme në Evropës dhe mes deklaratave për daljen nga traktati i kontrollit të armëve të periudhës së Luftës së Ftohtë.
Komentet e Putinit, të bëra në mediat ruse, erdhën pas paralajmërimit të tij se Moska do t’i kundërpërgjigjet çdo lëvizje të SHBA-së për të vendosur raketa të reja më pranë Rusisë, duke i vendosur raketat e saj më pranë Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse bën gati dy dekada në pushtet, Putin paralajmëroi për herë të parë për përplasje të këtyre përmasave u duke thënë se Moska mund të vendosë raketa hipersonike në anije dhe nëndetëse, të cilat mund të qendrojnë jashtë ujërave territoriale të SHBA-së, nëse Uashingtoni vendos armë bërthamore në Evropë.
“Po flasim për mjete ushtarake detare: nëndetëse apo anijet sipërfaqësore. Dhe ne mund t’i vendosim raketat atje duke pasur parasysh shpejtësinë dhe gamën e raketave tona. Plus mjetet tona nuk janë të palëvizshme, ata do të lëvizin sa më pranë ujërave amerikane” tha Putini në një konferencë për shtyp duke shtuar se Moska po punon për të rritur shpejtësinë e raketave.
Paralajmërimi i tij vjen pasi SHBA-ja dhe Rusia kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkeljen e Traktati Bërthamor.
Në një reagim të menjëhershëm, Departamenti Amerikan i Shtetit hodhi poshtë paralajmërimin e Putinit si propagandë, duke thënë se Moska po përpiqet të tërheqë vëmendjen nga shkeljet e traktatit.
Ky pakt i ndalon Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të vendosin raketa tokësore me rreze të shkurtër dhe të mesme në Europë. Uashingtoni njoftoi më 1 shkurt se do të tërhiqet nga traktati brenda gjashtë muajve nëse Moska nuk i jep fund shkeljeve të paktit.

Analisti i njohur i kontrollit të armëve bërthamore, Kingston Reif, thotë se Putin po përpiqet të sinjalizojë se Rusia mund të dalë nga ky traktat fill pas Shteteve Bashkuara. “Ai gjithashtu mund të përpiqet të dërgojë mesazhin se, askush nuk do të dalë i fituar nga një krizë e re raketash, kështu që ne duhet të ulemi dhe të rifillojmë diskutimet”, tha Reif.
Vetë Putin ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron një garë të re armësh bërthamore, por se nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të veprojë nëse Uashingtoni do të vendosë raketa të reja në Evropë, disa prej të cilave ai thotë se mund të godasin Moskën brenda 10 minutave.
Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk kanë raketa bërthamore në Evropë, por mund të marrin vendimin për t’i vendosur sërish nëse traktati i armëve bërthamore merr fund.
Putin tha se reagimi i tij për një veprim të tillë do të nënkuptonte se Rusia mund të godiste Shtetet e Bashkuara më shpejt sesa raketat amerikane në Europë mund të goditnin Moskën, sepse koha e fluturimit do të ishte më e shkurtër.
“Gjërat nuk do të ishte në favor të tyre. Kjo është e sigurt “, tha Putin.
“Duhet të zgjidhim konfrontimet përpara se të arrijmë në nivelet e krizës së raketave kubane në vitet 1960” tha Putin. “Por nëse dikush dëshiron të arrijmë deri këtu është i mirëpritur”, paralajmëroi presidenti rus.

Cfarë ndodhi gjatë krizës së raketave në Kubë?
Kriza mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik pothuajse u shndërrua në luftë bërthamore
Ky vit shënon 57 vjetorin e krizës kubaneze të raketave, një përplasje mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik që e coi botën në prag të luftës bërthamore.
Më 14 tetor 1962, fotografitë e marra nga një avion amerikan përgjimi treguan praninë e armëve bërthamore sovjetike në Kubë.
Graham Allison, ekspert për krizën kubane të raketave thotë se kishte dy lloje raketash.
“Një grup kishte raketa balistike me rreze të mesme veprimi, që mund të godisnin deri në Uashington. Kishte gjithashtu edhe raketa bërthamore me rreze pak më të gjatë që mund të godisnin deri në Omaha të Nebraskës, ku ishte Komanda Ajrore Strategjike. Pra të dyja llojet mbulonin dy të tretat e territorit të Shteteve të Bashkuara”.
Presidenti John F. Kennedy mblodhi një grup ekspertësh për të marrë një vendim për hapat e mëtejshëm. Grupi mbajti konsultime të fshehta për disa ditë. Në fillim ekspertët ishin në favor të goditjeve ajrore, pasuar nga një ndërhyrje nga toka, por menduan se një gjë e tillë do ta bënte të pashmangshme luftën bërthamore.

Zoti Allison thotë se ata e dinin që udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov do të reagonte me force.
“Ata menduan se Hrushovi do të godiste bazat e raketave amerikane në Turqi. Ne kishim atje raketa që dukeshin pothuajse si ato që sovjetikët po vendosnin në Kubë. Dhe nëse ata sulmonin raketat tona bërthamore në Turqi, që kishin një rreze veprimi që arrinte Bashkimin Sovjetik, ne sigurisht do të na duhej të përgjigjeshim. Pra, do të ishte një tjetër rrugë drejt luftës bërthamore dhe për këtë arsye, kjo alternativë u hodh poshtë dhe pasi ekspertët e analizuan edhe më tej këtë çështje, vendosën për një bllokadë detare ndaj Kubës”, thotë ai.
Dy ditë më pas, anijet sovjetike iu afruan vijës bllokuese dhe ndaluan. Sekretari i Shtetit Dean Rusk u citua atëherë të thoshte: “Ne ia ngulitëm sytë njëri-tjetrit dhe kundërshtari i largoi sytë i pari”.
Sergei Hrushov, i biri i udhëheqësit sovjetik, ishte atëherë 27 vjeç. Ai thotë se i kujtohet që i ati kishte ruajtur qetësinë gjatë gjithë krizës. Zoti Hrushov thotë se babai i tij dhe Presidenti Kennedy ishin kundërshtarë, por negociuan me njëri-tjetrin.
Bllokada detare ndaj Kubës funksionoi, por tensionet u rritën ndërsa Moska vazhdoi t’i aktivizonte raketat që ishin në Kubë.
Më 26 tetor, 1962, presidenti Kennedy mori një mesazh nga Hrushovi, që ofronte t’i tërhiqte raketat nga Kuba, në këmbim të garancive që Uashingtoni as nuk do ta pushtonte atë vend, as nuk do të përmbyste Fidel Castron. Para se të përgjigjej, Presidenti Kennedy mori një letër tjetër nga zoti Hrushov. Oferta këtë here ishte që Shtetet e Bashkuara të tërhiqnin raketat nga Turqia në këmbim të tërheqjes së raketave sovjetike nga Kuba.
Graham Allison thotë se Presidenti Kennedy dhe këshilltarët e tij vendosën ta shpërfillnin letrën e dytë dhe ranë dakord të përfshinin përmbajtjen e letrës së pare në një propozim të ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje