Lajme

Vasili, akuza Ramës: Të hetohet, puç antikushtetues ndaj qytetarëve

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili gjatë një deklaratë për mediat ka folur për një puç të dështuar në protestën e opozitës të enjten para Parlamentit.
Duke iu referuar protestës së opozitës, Vasili u shpreh se duhet të hetohet për informacionet e manipuluara se në protestë do kishte dhunë.
Sipas Vasilit, ndërprerja e valëve celulare u bë me qëllim degradimin e protestës, por opozita u tregua vigjilente.
“Dje kryeministri, kreu i Kuvendit dhe SHISH u bënë pjesë të një puçi të vërtetë antikushtetues të qytetarëve. Kryeministri deklaroi në “Rai Uno” se do ndodhin akte të turpshme ndaj parlamentit dhe thoshte se opozita do dhunojë parlamentin sipas gjoja shërbimeve inteligjente. U ndërpre dhe linja telefonike për të lënë organizatorët pa mundësi komunikimi dhe që protesta të degradonte. Opozita kishte marrë masa për të mbajtur në kontroll të plotë mbarëvajtjen e protestës dhe hodhi poshtë këtë puc të turpshëm. Të hetohet për informacionet e manipuluara se do kishte dhunë”, tha ndër të tjera Vasili.
Në kohën kur mbahej protesta e opozitës, AKEP njoftoi ndërprerjen e sinjalit e telefonisë celulare në perimetrin pranë tubimit, pas një kërkese nga Policia e Shtetit.
Më herët, edhe Partia Demokratike reagoi duke thënë se “AKEP urdhëroi nderprerjen e paligjshme te sinjalit të gjithë operatoreve të telefonisë celulare në të gjithë bulevardin, përfshirë zonën e protestës dhe përreth Partisë Demokratike”.
Ndërkohë, në deklaratën e saj AKEP tha se ishte kërkesë nga Policia e Shtetit si pjesë e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e protestës gjatë ditës së enjte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë