Futboll

Vetëm Mesi më mirë se Piatek, polaku thyen rekordin 20-vjeçar te Milani

Kristof Piatek “qëllon” në çdo ndeshje. “Pistoleta” e tij është gjithmonë e mbushur. Sulmuesi polak i Milanit vuri firmën e tij edhe në fitoren 3-0 ndaj Empolit të Frederik Veselit. Falë tij, Milani po sfidon Interin për vendin e tretë dhe kualifikimin për në Champions League. Impakti i sulmuesit polak me fanellën e Milanit është i jashtëzakonshëm. Ai ndjek Lionel Mesin për golat e shënuar në sezonin 2018/19, ndërkohë që ka thyer një rekord që te Milani zgjaste prej 20 vitesh.

Me golin e shënuar të premten në mbrëmje ndaj Empolit, Piatek është ngjitur në kuotën e 26 golave sezonalë në 27 ndeshje: 18 në Serinë A (13 me Xhenoan dhe 5 me Milanin) dhe 8 në Kupën e Italisë (6 me Xhenoan dhe 2 me Milanin). Një ecuri e jashtëzakonshme, vetëm Mesi ka bërë më mirë në sezonin 2018/19 në 5 kampionatet më të fortë në Europë. Lionel Mesi ka shënuar deri tani 30 gola në 31 ndeshje, por ka 2 kompeticione më shumë se polaku, Superkupën e Spanjës dhe Champions League.

Piatek shënon golin e parë për Milanin në ndeshjen me Empolin

Në Itali Piatek ka shkruar një faqe të re në historinë e Serisë A. Ai është futbollisti i 10-të që shënon të paktën 4 gola në një sezon me dy fanella të ndryshme. Sulmuesi ka thyer edhe një rekord te Milani. Duhet të kthehemi 20 vite pas në kohë, në 1998-ën, kur mes shtatorit dhe tetorit, Oliver Bierhof kishte shënuar në 4 ndeshjet e para si titullar në Serinë A me fanellën kuqezi. Tani, më shumë se 20 vite më pas, Piatek bën të njëjtën gjë. Dy sulmues me karakteristika të ndryshme, por me të njëjtin rendiment.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë