Kryetari i Bashkisë së Skraparit u është drejtuar sot përfaqësive së ndërkombëtarëve në Shqipëri lidhur me situatën e bllokimit të buxhetit për Bashkinë Skrapar, pasi ka pezulluar dhe punën e institucioneve në këtë qytet.
“Bashkia Skrapar edhe pse ka konsumuar të gjitha rrugët ligjore për miratimin e buxhetit të vitit 2019, vendime të paligjshme të Këshillit të Bashkisë Skrapar, si dhe konfirmimet e prefektit të Qarkut Berat, të mbështetur dhe nga Ministria e Financave, fatkeqësisht po ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën 17.500 banorëve, të cilët kanë ngelur pa shërbimet bazë që u ofron Bashkia.
Kjo dhe për shkak të ndikimeve politike, që po i bëhen bashkisë, sepse ajo drejtohet nga një përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Këshilltarët socialistë krijuan një maxhorancë të manipuluar në këshillin bashkiak nëpërmjet presioneve dhe blerjes së anëtarëve me vende pune. Me anë të këtij veprimi, kanë arritur të pengojnë veprimtarinë e Bashkisë Skrapar, nëpërmjet akteve të paligjshme, për mosmiratimin e buxhetit, situatë e krijuar është mbështetur nga Prefekti i Qarkut Berat, Z. Harilla Dafa dhe nga deputeti i Partisë Socialiste në këtë qark, Z. Adnor Shameti.
Ky bllokim i veprimtarisë financiare, po çon Bashkinë Skrapar në një kolaps për ofrimin e shërbimeve”, shkruhet në letrën drejtuar përfaqësive të huaja.
Një javë më parë Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu, në një deklaratë për mediat njoftoi se institucionet e këtij qyteti do të mbyllen pasi nuk ka buxhet. Në daklaratën e tij ai theksoi se më 14 dhjetor gjatë një mbledhje në këshillin bashkiak Skrapar nuk u miratua buxheti dhe kjo solli paralizim të funksionalizimit të administratës dhe institucioneve publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje