Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykimin e shkurtuar ndaj Klement Balilit, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”. Seanca e radhës do të jetë më 12 mars, ku prokuroria do të shpallë pretencën.
Në seancën e sotme treshja gjykuese u kryesua nga Flora Hajredinaj dhe dy gjyqtarë të tjerë, Liliana Baku dhe Ardit Mustafai.
Më herët, Balili kërkoi gjykim të shkurtuar përmes avokatit mbrojtës, Theodhori Sollaku, por seanca e parë te Krimet e Rënda u ndërpre me pretendimin se ai ka dashur që ta bëjë personalisht këtë kërkesë.
Mbi Balilin rëndojnë 4 akuza. “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal, refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Pas pothuajse tri vitesh në arrati, Klement Balili u vetëdorëzua më 15 janar dhe kjo ngjarje bëri bujë jo vetëm në mediat vendëse, por edhe ato ndërkombëtare. Vetëdorëzimi erdhi pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij, Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mban dhe postin e kryetarit të bashkisë Delvinë, Rigels Balili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje