Fundjavë pozitive për një pjesë të futbollistëve të Kombëtares, protagonistë me klubet e tyre. Lajmi më i mirë për trajnerin Kristian Panuçi është rikthimi i Elseid Hysajt në formën e duhur. Është shumë e rëndësishme që një nga futbollistët kryesorë të Kombëtares të jetë në gjendje optimale për eliminatoret e Euro 2020 që nisin pas pak javësh me ndeshjen me Turqinë. Mjaft pozitiv është fakti se shumica e lojtarëve të Kombëtares po luajnë rregullisht.
Hysaj luajti titullar me Napolin edhe në ndeshjen e javës së 25-të të Serisë me Parmën në transfertë. E veçanta është se edhe këtë radhë trajneri Karlo Ançeloti i ka besuar krahun e majtë të mbrojtjes, ku mbrojtësi shkodran zëvendëson algjerianin Gulam, i cili është ende jashtë forme. Hysaj e ka shpërblyer besimin e trajnerit, duke dhënë një asist të bukur në golin e parë të Napolit. Ai pasoi me zgjuarsi brenda zonës për Zielinskin. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta në këtë ndeshje, që u fitua nga Napoli me rezultatin e thellë, 0-4.

Për shqiptarët e tjerë të Serisë A, java e 25-të nuk ishte ashtu siç ata do të dëshironin. Frederik Veseli u mund 3-0 me Empolin nga Milani, kurse Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti të Atalantës u mundën 2-0 në fushën e Torinos. Të tre këta futbollistë ishin titullarë dhe kjo është diçka pozitive, edhe pse klubet e tyre regjistruan rezultate negative. Ndryshe kanë shkuar gjërat për shqiptarët e Serisë B. Emanuele Ndoj ishte titullar në fitoren 2-0 të Breshias ndaj Krotones, fitore që e mban në vend të parë, 4 pikë para Palermos. Edhe Ledjan Memushaj ka shanse për t’u kthyer në Serinë A. Peskara e tij mundi 2-0 Padovan dhe mban vendin e 3-të. Mesfushori vlonjat ishte titullar dhe u zëvendësua në fundin e ndeshjes. Sulmuesi Xhakomo Vrioni nuk luajti asnjë minutë me Venecian këtë fundjavë.

Mërgim Mavraj ka provuar shijen e humbjes me Ingolshtadin në fushën e St.Paulit. Mbrojtësi i Kombëtares po luan rregullisht, por skuadra e tij rrezikon të bjerë nga Bundesliga 2. Në Greqi, Fiorin Durmishaj, mundi 2-0 Panathinajkosin e Ergys Kaçes. Të dy futbollistët shqiptarë e nisën ndeshjen titullarë, ndërsa Kaçe u zëvendësua në pjesën e dytë. Durmishaj është një nga kandidatët kryesorë për t’u grumbulluar nga trajneri Panuçi me Kombëtaren për eliminatoret e Europianit.

Ka gjetur golin në Belgjikë sulmuesi Sindrit Guri, i cili shënoi golin e parë në barazimin 2-2 të Ostendes në fushën e Cercle Bryzh. Futbollisti shkodran u aktivizua si zëvendësues dhe pas 7 minutash në fushë gjeti golin, duke i dhënë trajnerit një sinjal se meriton më shumë minuta. Shënoi këtë fundjavë edhe mbrojtësi Arlind Ajeti, që i dha një pikë Grasshopersit në barazim 1-1 me Thunin. Ajeti nuk është grumbullua me Kombëtaren në ndeshjet e fundit, pasi pati vështirësi të gjente ekip dhe ka qenë jashtë forme. Armando Sadiku këtë herë luajti vetëm 15 minuta në humbjen 0-1 të Luganos ndaj Jang Bojs.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje