Një muaj pasi ia dorëzoi Gent Cakajt drejtimin e Ministrisë së Jashtme, kryeministri Edi Rama është rikthyer ditën e sotme në këtë dikaster për të zhvilluar një mbledhje urgjente me drejtorët e nivelit të lartë.
Arsyeja e kësaj mbledhjeje të papritur të kreut të qeverisë, e konfirmuar edhe nga burimet e Gaztës Si, ka qënë skandali i vjedhjes së 100 pasaportave shqiptare pas transportit me një autobus linje drejt Ambasadës shqiptarë në Athinë.
Kjo ngjarje duket se ka shkaktuar në fakt edhe një nga skandalet më të mëdha diplomatike të shtetit shqiptar përgjatë viteve të fundit dhe vjen mes një klime mjaft te tensionuar politike mes qeverisë dhe opozitës.
Për ish-kryeministrin Sali Berisha, pasaportat shqiptare që u vodhën në Athine dy javë më parë janë në duart e ISIS-it dhe të mafies. Me anë të një shënimi në faqen e tij në Facebook të dielën, Berisha hidhe akuza të rënda ndaj qeverisë, duke thënë se “burime serioze njoftojnë se vjedhja e tyre duket se është realizuar kundrejt së paku 2 milionë eurove”. “Ato mund të përdoren nga grupet me të rrezikshme terroriste të ISIS-it që po largohen nga Siria, por edhe nga baronët e drogës të Shqiperisë, Ballkanit dhe Amerikës Latine etj”, shkruan ish-kryeministri.

Përtej skandalit për sigurinë e dërgesës diplomatike që është bërë jashtë çdo standardi kombëtar e ndërkombëtar, vjedhja e pasaportave ka dhe një kosto të lartë, pasi shqiptarët që kanë aplikuar për to kanë paguar nga 150 euro.
Por si ndodhi kjo ngjarje e rëndë dhe si duhet të kryhet transporti i pasaportave sipas rregullave ndërkombëtarëe?
Gjithçka duket se nisi më 13 shkurt, kur 100 pasaportat e reja ishin futur në çanta dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë. Pengesa e parë për mbërritjen e tyre në destinacion do të vinte gjatë kontrollit të Policisë greke në Pikën Kufitare të Kakavijës, pasi dërgesa kishte krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar.
Sipas raporteve, policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar për trafik pasaportash, situatë që ka prekur edhe udhëtarët e autobusit, të cilëve po u bëhej e pamundur lëvizja drejt Greqisë. Shoferi ka sqaruar autoritetet greke se ishte një dërgesë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë me pasaportat e reja të bashkëkombësve tanë.
Të nisur nga dyshimet, por edhe mosrespektimi i standardeve për transportin e tyre, Policia greke ka hyrë në kontakte me Ministrinë e Jashtme të Greqisë, nga e cila kërkoi që të kontaktonte diplomatët në Tiranë. Pas disa orësh, shoferi është lënë i lirë të vazhdojë rrugën me autobusin e tij, por çantat me pasaporta janë bllokuar në Kakavijë deri në mbërritjen e punonjësve diplomatikë të autorizuar për tërheqjen e tyre.

Por gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë automjeti me targa diplomatike u sulmua dhe pasaportat u grabitën nga persona ende të paidentifikuar dhe me siguri do të keqpërdoren për qëllime kriminale.
Sipas Konventës së Vjenës, e cila përcakton qartë se si bëhet transportimi i materialeve diplomatike, dy janë rrugët: përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik.
Gjithmonë pakoja diplomatike ka firmën e një kutie të stampuar, me elementë sigurie dhe tregues dhe duhet të ketë letër shoqëruese. Në asnjë pikë të nenit 27 të Konventës së Vjenës nuk thuhet që pakot diplomatike mund të dërgohen me autobusë të udhëtarëve dhe të pashoqëruar nga korrierë diplomatikë.
Reagimi i Ministrisë ngre më shumë pyetje se përgjigje
Gati dy javë pas kësaj ngjarjeje, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u detyrua të pranonte vjedhjen e pasaportave në Athinë dhe bllokimin e tyre në Kakavijë në një autobus linje. Ministria thotë se kishte autorizuar një punonjëse të kompanisë së udhëtimit t’io dorëzonte në Ambasadën tonë në Athinë, në kundërshtim me të gjitha procedurat e përcaktuara nga konventa e Vjenës. Po ashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se ka nisur të gjitha procedurat hetimore dhe se të gjithë qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar do të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja do të bëhet me urgjencë.
Deklarata e ministrisë në fakt ngre më shumë pyetje sesa që jep përgjigje. Sipas ministrisë, Konsulli i Përgjithshëm “bëri një ndalesë në Rrugën Agion Asomaton në lagjen e Thisios, Athinë, nga ora 22.50 deri në 00.10, gjatë së cilës makina diplomatike u grabit”.
Para së gjithash, pse duhet të bënte konsulli i përgjithshëm një ndalesë rreth një orë në mesnatë në “Agion Asomaton”, kur destinacioni i tij i vetëm ishte Ambasada. Sipas hartës së publikuar pas gjurmimit të makinës diplomatike, në vend që të shkonte drejt e në Ambasadë, ai doli nga makina dhe kaloi 1 orë e 20 minuta në një vend të panjohur duke lënë cantën me pasaporta brenda makinës!

Pse erdhi kjo ndalesë kur ambasada ishte vetëm 30 minuta larg. Për shuam kritikë kjo ngre pikëpyetje të shumta nëse ata që vodhën pasaportat ishin informuar rreth dërgesës dhe nëse ndalesa në një rrugë të dyshimte ishte e qëllimshme.
Deri më tani askush në Ministrinë për Evropë dhe Punëve të Jashtme, Konsullatën në Janinë, apo ambasadën në Athinë nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për këtë seri absurde gabimesh, të cilat kanë bërë që grupet kriminale shqiptare të posedojnë 100 pasaporta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje