Ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e së shtunës, Partizani-Flamurtari, morën gjithë vëmendjen e opinionit publik sportiv dhe jo vetëm. Për disa minuta u ndërpre ndeshja, sepse tifozë të Partizanit hynë në fushë dhe dhunuan fotografin e Flamurtarit. Pati reagime zyrtare nga dy klubet, nga FSHF-ja, por edhe nga politika. Pritej të reagonte edhe numri 2 i qeverisë, Erion Braçe, një tifoz i thekur i Partizanit, dhe kështu ka ndodhur. Braçe nuk ka zhgënjyer askënd.
Zv.kryeministri i vendit, Erion Braçe, ka postuar një qëndrim të gjatë në profilin e tij në Instagram. Një qëndrim që ai e konsideron një reagim ndaj ftesës së administratorit Sinan Idrizi, pasi ky i fundit pyeste nëse kishte ndonjë reagim me zë të lartë nga politikanët në vend për atë çfarë ndodhi në “Selman Stërmasi”, duke iu referuar pikërisht z.Braçe. Ajo që bie në sy në këtë qëndrim të zv.kryeministrit, pasi dënon dhunën, është se ai përdor gjuhën e një zyrtari të klubit “Partizani”. Për shembull, ai thekson me forcë se “arbitri ishte i paaftë dhe jo i blerë nga Partizani”, apo “Partizani nuk hyn kurrë në marrëdhënie me arbitrat”.

Gjithashtu, z.Braçe vlerëson qëndrimin e klubit të kuq për distancimin nga dhuna, por edhe në këtë rast flet si “i kuq”, duke “lokalizuar” dhunuesit. “Ishin 5, vetëm 5 nga 4000 tifozë që ishin në stadium që ushtruan dhunë” – shkruan zv.kryeministri. A thua se kur ka dhunë në futboll, fjala bie në stadiume me 50 mijë apo 60 mijë tifozë, të gjithë këta ushtrojnë dhunë! Gjithmonë dhuna ushtrohet nga elementë apo grupime të caktuara. Braçe nuk nguron edhe të thumbojë në fund, kur thotë se dhunën e ka thirrur fotografi.
Postimi i plotë i zv.kryeministrit Erion Braçe
Për dy legjenda, Partizanin dhe Flamurtarin, arbitrin e paaftë, z.Idrizi dhe për vete!
Po, i nderuar z.Idrizi, nuk shkruajta dje e sot për ndeshjen Partizani-Flamurtari vetëm prej atij episodi të izoluar dhune! Nuk më pëlqeu! S’e pranoj! Por meqë ju më ftoni të flas, në shenjë respekti për ata që luajnë në fushe, ata që i ndjekin dhe të gjithë ju që investoni, po e bëj! E para, qysh ditën që kam marrë detyrën nuk kam shkelur më në stadium. Nuk dua të dukem si ata që kam sulmuar e jo më të bëj si ata! Ti nuk e merr me mend sa më dhemb kjo, por besoj më mirë kështu se sa qenia ime aty të dyshohet, gjykohet dhe dënohet si ndërhyrje në garë!
E dyta, e pashë ndeshjen, arbitri ishte i paaftë! Harroje se e kishte blerë Partizani! Ti e di fare mirë se Partizani e ka vuajtur këtë gjë dhe, nuk e bën kurrë kundër të tjerëve. Arbitri nuk ishte as “kamikaz” siç një radhe e madhe që është sjellë kështu kundër Partizanit. Pra, po ju them se Partizani kurrë nuk hyn në marrëdhënie me arbitrat, kurrë! E treta, raporti i ndeshjes-ai për vendimet e arbitrit, nuk mund të jetë ai i një gazetari të njëanshëm që më në fund e pa “një ditë të bardhë” të hedhë arbitra në favor të Partizanit! Edhe unë mbaj shënime kur kam nge dhe, arbitri nuk ndëshkoi një seri faullash të rëndë kundër Partizanit, si ai i Trashit apo më të rëndë se ai. E katërta, nxjerrja me të kuqe e lojtarit të Flamurtarit ishte banale, vendim idiot dhe më ulëritësi që dëshmon paaftësinë e arbitrit! E pesta, dhuna e 5 personave, vetëm 5 të tillëve në 4000 që ishin në stadium, ishte e turpshme, e papranueshme dhe për këtë shkak, tifozët e klubi e kanë dënuar publikisht! Nuk e kuptoj pse e donit nga unë këtë. Unë jam njeri nga ata mijëra të kuq që e duam futbollin, jo dhunën!
Por këtu me lejo të them: Një ndeshje futbolli është garë, pasion e betejë e ndershme deri në fund! Nuk mund të jetë kurrë provokim, tallje apo humbje kohe. Ndodh të kthehet edhe kështu, por ky nuk është futbolli që unë dhe ju pëlqejmë. Ndryshe shkojmë poshtë kalit të Skënderbeut dhe thërrasim këtë fotografin për foton e duhur, atje jo në stadium! Lëre pastaj kur dhunën e thërret vetë fotografi. E fundit, respekt pa fund për Vlorën! Përulem”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje