Politike

Thaçi: Dorëhiqem nëse Kuvendi refuzon marrëveshjen me Serbinë për të marrë Luginën e Preshevës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërcënuar sot se nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të marrë parasysh një marrëveshje të pritshme me Serbinë (e cila gjithnjë e më shumë po ravijëzohet rreth shkëmbimit të territoreve), ai do të japë dorëheqjen, për ta dërguar këtë kërkesë më pas për referendum.

Ky paralajmërim i ashpër duket se ka ndezur edhe njëherë tensionet mes presidentit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili është zotuar se sa të jetë ai kryeministër, nuk do të ketë ndryshime kufijsh

“Kritikët të mos mendojnë se do të shkel Kushtetutën. Mund të arrijmë marrëveshjen, e cila do t’i propozohet më pas Kuvendit të Kosovës. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqjen ose shpall referendum”, ka deklaruar Thaçi.

“E di që në referendum fitoj 80%, sepse të gjithë qytetarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc e përkrahin bashkimin me Kosovën, dhe se rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin këtë vendim. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës”, është shprehur ai.

Nuk duhet harruar se një marrëveshje e pritshme me Serbinë nuk do të prekte vetëm Luginën e Preshevës, por edhe veriun e Mitrovicës sepse ka pak gjasa që Beogradi zyrtar të lëshojë territore në këmbim të asgjëje. Por për këtë pjesë, Presidenti Thaçi “harron” të flasë dhe i kërkon me referendum popullit të shprehet vetëm për aneksim të një territori (Preshevë-Medvegjë-Bujanoc) dhe jo edhe për copëtimin e territorit aktual të Kosovës (Mitrovicë, Leposaviç, Zubin Potok etj,).

Gjithsesi, edhe pse ishte i vendosur për marrjen e Luginës së Preshevës, presidenti mohoi që marrëveshja do të përfshinte shkëmbime territoresh. Thaçi po ashtu i bëri thirrje Haradinajt nga Tirana që të heqë taksën për mallrat nga Serbia, duke deklaruar se ato po futen kontrabandë dhe miqësia me SHBA-në po dëmtohet.

Duke iu përgjigjur paralajmërimit të presidentit Thaçi, Haradinaj tha se Kushtetuta nuk lejon Kosovën të ketë pretendime territoriale.

“Nuk e di në çfarë konteksti e ka shpjeguar presidenti bashkimin e Luginës, por ne me Kushtetutë nuk mund të kemi pretendime për territorin e vendeve të tjera dhe as nuk mund të ofrojmë territor për të na njohur Serbia”, ka thënë Haradinaj në një konference për shtyp, duke shtuar se nëse Serbia dëshiron territore në këmbim të njohjes, atëherë Kosova mund t’ia dalë edhe pa një marrëveshje me Beogradin.

Por ndryshe nga ai, Presidenti Hashim Thaçi thotë se marrëveshja me Serbinë është shpresa e vetme për rrugën euroatlantike të Kosovës. Ai ka këmbëngulur për “korrigjimin e kufijve”, duke thënë se komunat përreth Luginës së Preshevës kanë shprehur tanimë vullnetin për t’u bashkuar me Prishtinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë