Lajme

Kaosi politik, eurodeputetët sot nisin takimet në Tiranë

Zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri dhe ecuria e zbatimit të reformave sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE këtë qershor do të sjellin sot në Tiranë një delegacion të Parlamentit Europian.
Delegacioni i Komisionit të Jashtëm përbëhet nga 7 deputetë dhe kryesohet nga Tunne Kelam.
Eurodeputetët do të takohen me aktorët kryesorë të politikës shqiptare.

Axhenda nis në orën 16:15 me nje takim me Kryetrarin e PD Lulzim Basha dhe Kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.
Në orën 17:10 eurodeputetët takojnë ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. Këto takime do të zhvillohen te zyrat e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Ndërkohë në orën 18:10 është parashikuar takimi me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm, Gent Cakajn në selinë e qeverisë.

Të enjten në mëngjes, eurodeputetët do të kenë takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Më tej, takimet do të vijojnë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, mes të cilëve do të jenë edhe përfaqësues të “Lëvizjes për Universitetin”.
Po ashtu të enjten, kur pritet edhe protesta e radhës e opozitës para Kuvendit, europarlamentarët do të kenë dhe konferencën për mediat.

Më herët, kreu i delegacionit dhe eurodeputeti i Partisë Popullore, Tune Kelam, i ka kërkuar qeverisë dhe opozitës që të zgjidhin situatën me anë të dialogut konstruktiv.
“Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare. Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv”, tha ai para vizitës në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë