Lajme

Vrasja e gjyshit në Vlorë, arrestohet nipi dhe tre të rinj

Policia e Vlorës ka zbardhur krimin që ndodhi mbrëmjen e kaluar, ku i moshuari Vangjel Kapllani u vra nga nipi i tij 17-vjeçar.
Pas hetimeve intensive është zbuluar i gjithë mekanizmi i ngjarjes dhe rezulton se autori i dyshuar i krimit të jetë nipi i të moshuarit, V. K., 17 vjeç, i cili do të përballet penalisht për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Policia, ndërkohë, ka arrestuar edhe tre të rinj të tjerë për mbajtje pa leje dhe përdorim të armëve, të cilët dyshohet se i kanë shitur pistoletën, me të cilën qëlloi pas koke gjyshin e tij. Të arrestuarit janë shtetasit L. M, 17 vjeç, F. Xh, 16 vjeç dhe M. A., për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Pas ekspertizës së kryer në pjesën e pasme të kokës së viktimës është konstatuar një predhë armë zjarri, e cila si pasojë ka sjellë vdekjen e të moshuarit.
Gjithashtu, shërbimet policore kanë sekuestruar edhe armën e krimit, tip pistoletë, të cilën autori e kishte hedhur në një pusetë afër banesës me qëllim për të fshehur gjurmët.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vlorës. Nipi 17-vjeçar vrau me armë gjyshin e tij dhe sajoi historinë se viktima u grabit nga persona të paidentifikuar, dhe se ai e shpëtoi në kohë duke e çuar në ambulancë.
Fillimisht u raportua se i moshuari 69-vjeçar, Vangjel Kapllani, u gjet nga vetë nipi, me një plagë të madhe në kokë, që fillimisht u dyshua se ishte qëlluar me levë, por nga ekspertiza rezultoi të ishte plumb. I moshuari është dërguar në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë dhe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Po ashtu nipi mëngjesin e sotëm ka pranuar se ishte ai që e kishte qëlluar gjyshin.
“E vrava gjyshin se më nxiu jetën. Më stresonte, nuk e duroja dot më”, deklaroi më herët para oficerëve të policisë 17-vjeçari nga Vlora. 69-vjeçari jetonte i vetëm në lagjen “Rilindja” në Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë