Politike

Fleckenstein: Po humbasim durimin me opozitën, po vonohet integrimi

Pas takimeve të veçanta me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, kreun e PD-së Lulzim Basha, kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kryetarët e partive të tjera opozitare, delegacioni i Parlamentit Evropian ka takuar këtë mëngjes në Tiranë, kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në një njoftim zyrtar, Kreu i Kuvendit njoftoi se ka zhvilluar një takim me delegacionin e PE në Kryesinë e Kuvendit. Sipas Ruçit, objektivat për integrimin janë drejt përmbushjes dhe reforma në drejtësi po ecën me shumë sukses.

Kreu i Kuvendit thekson se Parlamenti është legjitim sepse vjen nga zgjedhje të ndershme.
“Objektivat për integrimin drejt përmbushjes dhe reforma në drejtësi po ecën me shumë sukses. Vettingu, jetik për drejtësinë dhe Shqipërinë dhe në qershor organet e reja të sistemit do jenë në funksion të plotë. Reforma në drejtësi ka mbështetjen e 99% të shqiptarëve. Reforma elektorale, paketa e depozituar në Kuvend. Parlamenti legjitim sepse vjen nga zgjedhje të ndershme. Zgjedhjet e 2017 janë të certifikuara nga 100% e numëruesve të opozitës. Zgjedhjet kanë probleme, por ato zgjidhen në Kuvend, ndërsa Kuvendi është në dispozicion të opozitës. Opozita gëzon të drejta që unë si opozitar nuk i ëndërroja. Opozita ka folur tre orë më shumë se maxhoranca dhe ka refuzuar të përdorë kontrollin parlamentar”- tha Ruci.

Gramoz Ruci

Nga ana tjetër, qëndrimi i delegacionit të Parlamentit Evropian duket se ka mbetur i pandryshuar pas takimin me krerët e partive opozitare. Ata i kanë bërë thirrje opozitës ta shfrytëzojë mundësinë për tu rikthyer në parlament, duke e konsideruar vendimin për djegien e mandateve si një pengesë për çeljen e negociatave.

Gjatë takimit me kryeparlamentarin Ruçi, përfaqësuesi i PE-së Cristian Preda, tha se opozita ka ende mundësi të kthehet në Kuvend. “Pas 10 ditësh do të jetë vonë”, është shprehur ai sot. Përfaqësuesi i delegacionit të PE-së theksoi se në 5 mars do të informojë Parlamentin Evropian për arritjet e Shqipërisë. Preda është shprehur se “i ka vëzhguar zgjedhjet e 2017 dhe ishin korrekte”

Ndërkohë, kryesuesi i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam foli për një përpjekje për të vonuar çeljen e negociata për integrimin në Bashkimin Evropian.

Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha

“PE mbetet mbështetës i madh i anëtarësimit të Shqipërisë. Përpjekjet për të vonuar çeljen e negociatave nuk kanë mbështetjen tonë. Reforma në drejtësi, thelbësore për qeverisjen dhe besimin e qytetarëve”, mësohet të jetë shprehur Kela, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të bashkëpunojnë për interesin kombëtar.

“Arrini konsensus dhe na dërgoni një sinjal pozitiv për negociatat”, theksoi Kelam.

Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein foli me tone më të ashpra, duke deklaruar se ka humbur durimin nga qëndrimi i opozitën nga vendimi për djegien e mandateve dhe nga dhuna në protestat që ka mbajtur deri më tani opozitës.

“Po humbasim durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat të ruajnë qetësinë. Pamjet e protestave vonojnë integrimin”, tha Fleckenstein,i cili i bëri thirrje Këshillit Evropian, të vlerësonin nga ana tjetër arritjet e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë