Ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i janë komunikuar akuzat në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kjo Prokurori mbylli dje hetimet dhe çoi dosjen në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Pas daljes nga Gjykata, në një komunikim me gazetarët, Tahiri ironizoi se pas Aldo Bares ndoshta është i dyti me këtë akuzë. Ndonëse tha se do respektojë drejtësinë, ish-ministri tha se kjo pritej duke e cilësuar proces të turpshëm, politik e të komanduar.
“Akuza ishte më e rëndë se kaq, ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, vepra panel. Mendoj se pas Aldo Bares ndoshta jam i dyti me këtë akuzë. Nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda, nuk dua të merrem. Dua të respektoj drejtësinë. Do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund edhe duke besuar”, shprehet ish-ministri.
Tahiri nuk pranoi të thoshte se nga komandohet prokuroria në akuzat e ngritura ndaj tij, por tha se politika, krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ç’është dhe Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.
“Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh”, vijoi më tej ish-ministri Tahiri.
Në fund, ai tha se në gjithë këtë proces të turpshëm i intereson vetëm e vërteta.
“Nuk më frikëson asgjë veç të vërtetës. Nuk më intereson se ç’bën prokuroria. Më intereson vetëm e vërteta. Di që ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar, unë jam mësuar me vështirësi dhe besoj se do ia dal”, tha ndër të tjera ish-ministri Tahiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje