Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pranishëm në Samitin e Dytë të Diasporës shqiptare shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen, pasi tha se të gjithë kanë qenë për pak kohë në diasporë, por ja që kanë vendosur të kthehen “për të drejtuar vendet tona” drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët.
Pikërisht për këtë, Thaçi theksoi se duhet të fuqizojnë reformat për të ecur para drejt integrimit, ndërsa përshëndeti kreun e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, për rolin e luajtur në arritjen e marrëveshjes historike me Greqinë.
“Megjithëse Kosova ka edhe kundërshtarë që e ngadalësojnë progresin, shpreh bindjen se Kosova është në rrugën e sigurt drejt perspektivës euroatlantike. Pas shumë përpjekjesh kemi arritur të themelojmë ushtrinë e Kosovës, e cila do të jetë një ushtri paqeje dhe shumetnike. Jemi në momentin kur Kosova përgatitet për të hyrë në dialogun përfundimtar me Serbinë. Ne duam një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të garantojë njohjen reciproke”, tha Hashim Thaçi.
Më tej, presidenti i Kosovës theksoi se kurrë nuk do ketë shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, shkëmbimi i territoreve është pazar dhe do lejohet vetëm po të kalojë mbi trupin e tij. Thaçi u shpreh se është për korrigjim kufijsh, por pa cenuar territorin e Kosovës.
“Shkëmbimi i territoreve. Keni dëgjuar shumë këto, por kurrë nuk do të ndodhë. Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk do të lejohet të bëjë pazar me kauzë kombëtare. Ndarja e Kosovës pa shkelur në trupin tim, nuk do mund ta cenojë askush, asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Për ndarje të Kosovës, ata që flasin sot janë ata që e kanë ndihmuar Millosheviçin, të cilët i kam dëbuar nga Kosova. Askush nuk do mund të cenojë as Trepçën, as Kosovën dhe asnjë pjesë të territorit. Ata që flasin për ndarje të Kosovës janë miq të Millosheviçit. Korrigjim të kufijve, po, por pa u cenuar territori i Kosovës”, tha ndër të tjera presidenti Thaçi.
Ndërkohë, kreu i BDI në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, tha se momentet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar rrjedhat i kanë pasur nga diaspora.
Ahmeti u shpreh se Rilindja Kombëtare veproi në perëndim dhe në lindje, por energjitë i vendosi në shërbim të atdheut.

“Momentet më të rëndësishme historike rrjedhat i kanë pasur nga mërgata. Pavarësia e Shqipërisë me Ismail Qemalin u organizua nga mërgata, sikurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ushqye nga mërgata”, tha kreu i BDI, Ali Ahmeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje