Politike

Zgjedhjet në Mal të Zi, Tuzi pritet të drejtohet nga shqiptarët

Për herë të parë pas 62 vitesh, një komunë e qetë malore duket se do të udhëhiqet nga shqiptarë, të cilat janë bashkuar me një listë të përbashkët elektorale. Kjo ka sjellë ethe dhe ka ngjallur shpresat e shqiptarëve, ndërkohë që përgatiten për të votuar në zgjedhjet lokale të Malit të Zi.

Si asnjëherë më parë partitë politike shqiptare kanë themeluar Forumin Shqiptar për Komunën e Tuzit. Edhe pse pak postera elektoralë bëjnë thirrje për votimin e shqiptarëve, komuna e Tuzit duket se e ka marrë tanimë vendimin e saj.

Tri partitë politike kryesore që veprojnë në këtë zonë kanë formuar një koalicion parazgjedhor nën moton “Malësia na Bashkon” duke kandiduar me një listë të vetme dhe duke rritur kështu shanset që kjo komunë të udhëhiqet nga një shqiptar.

Komuna e Tuzit

Mbrëmjen e të shtunës, drejtuesit e partive shqiptare u panë bashkë teksa bisedonin rreth detajeve të fundit të fushatës, në të njëjtën sallë ku firmosën marrëveshjen. Ata besojnë se çelësi i bashkimit, do t’i nxjerrë fitimtarë.

“Në Malësi gati 70% e banorëve janë shqiptarë, por në administratën e kësaj komune me vështirësi mund të gjeni dikë që flet shqip. Jemi të bindur se në Malësi pranvera fillon me 3 Mars dhe se për Malësinë do yë vijnë ditë më të mira”, shprehet kreu i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj.

Ndërkohë, Fadil Kajoshaj, kreu i Unionit Demokratik të Shqiptarëve paralajmëron se është përballur me presione nga partitë kryesore në Mal të Zi.”

Bushati dhe koalicioni shqiptar ne Tuz

“Jemi të bindur që kemi njerëz, kapacitet, që ta zhvillojmë vendin tonë, ta zhvillojmë infrastrukturën, ta zhvillojmë ekonominë, të hapim vende të reja pune, t’i krijojmë kushtet që bizneset, jo vetëm nga Mali i Zi, por dhe nga shteti ame dhe besoj se do t’ia dalim”, shprehet Nik Gjeloshaj, kreu i “Alternatives Shqiptare” në Mal të Zi.

Banorët e Tuzit, të ndodhur përballë mungesave të përditshme, shprehen se do të jetojnë më mirë nëse do të udhëhiqen nga shqiptarët.

Pak orë përpara se shqiptarët në komunën urbane të Tuzit t’i drejtohen kutive të votimit, ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka komentuar këtë proçes tejet të rëndësishëm, duke vlerësuar bashkimin më një koalicion të shqiptarëve që jetojnë atje.

Nga Shkodra, Bushati tha se janë bërë shumë përpjekje në të shkuarën për të siguruar statusin e pavarur të komunës, ndërsa shtoi se koalicioni “Malësia na Bashkon” fuqizon statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, i shumë kërkuar prej vitesh.

“Shqiptarët janë të bashkuar në zgjedhjet për drejtimin e komunës Tuz. Janë bërë shumë përpjekje për të siguruar statusin e pavarur të komunës dhe administrimin e pavarur të saj nga Podgorica. Së dyti koalicioni “Malësia na bashkon” shpresoj të jetë një premisë jo vetëm për zgjedhjet që do të zhvillohen nesër në Tuz, por mbi të gjitha edhe për të fuqizuar statusin e shqiptarëve në Mal të Zi”, shprehet ai.

Rreth 11.800 votues do të votojnë në 30 qendra votimi, e më pas kryetari i Komunës do zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Këshilli Komunal i njohur si Parlamenti i Tuzit, që në total ka 32 anëtarë. Gjithçka në komunën e Tuzit është bërë gati për zgjedhjet, madje dokumentet janë edhe në gjuhën shqipe, pasi rajoni i malësisë është i populluar me shumicë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë