Tomas Strakosha është personazh në këtë moment te Lacio. Portieri shqiptar ishte nga më të mirët në fushë në derbin me Romën, ku skuadra e tij fitoi 3-0. Strakosha është personazh edhe për prestigjiozen italiane “Gazzetta dello Sport”, që ka bërë një sondazh në lidhje me lojtarin më të mirë U-23 të javës së fundit të Serisë A.
Mes tre kandidatëve të përzgjedhur nga gazeta italiane për këtë sondazh është edhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë. Dy kandidatët e tjerë janë Xheremi Boga i Sasuolos dhe Injacio Puseto i Udinezes. “Gazzetta dello Sport” bën shpesh sondazhe të kësaj natyre për të kuptuar nga lexuesit e saj se cilët janë lojtarët më të vlerësuar në kategori të ndryshme. Këtë herë ka përzgjedhur tre talente poshtë moshës 23 vjeç, që në javën e 26-të të Serisë A ishin vendimtarë për skuadrat e tyre.

Thomas Strakosha është 23 vjeç dhe në fitoren ndaj Romës ishte protagonist për Lacion. Gjithmonë në gatishmëri në gjuajtjet e Xhekos dhe i jashtëzakonshëm në reagimin ndaj gjuajtjes së Florencit në pjesën e dytë. Stoik në minutat e fundit të ndeshjes, kur qëndroi në fushë edhe pse me shpatullën e dëmtuar. Nota 7. Ky është përshkrimi i gazetës italiane për paraqitjen e portierit kuqezi. Të njëjtën notë ka marrë edhe Xheremi Boga i Sasuolos, pas paraqitjes mbresëlënëse ndaj Milanit. Injacio Puseto i Udinezes është vlerësuar me notën 8 nga gazeta italiane, më mirë se Strakosha dhe Boga.

Por votat më të shumta kanë shkuar për portierin tonë. Sondazhi nuk është mbyllur, megjithatë Tomas Strakosha udhëheq bindshëm ndaj dy rivalëve të tij dhe me siguri do të jetë ai lojtari më i mirë poshtë moshës 23 vjeç për javën e fundit të kampionatit italian.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje