Futboll

Juventusi ëndërron tiki-takan, sondazh për Guardiolën si pasues të Alegrit

Për momentin është vetëm një sondazh, një ide për të kuptuar se çfarë mund të bëhet për të marrë një trajner të nivelit botëror si Pep Guardiola. Duhet thënë që në fillim se spanjolli është një ëndërr për pasuesin e Alegrit, lamtumira e të cilit në fund të sezonit duket e sigurt. Zinedin Zidane është favorit për të marrë drejtimin e Juventusit, por edhe Guardiola nuk duhet nënvlerësuar si hipotezë.

Prokuratori i Guardiolës është Pere Guardiola, vëllai i trajnerit spanjoll. Ai merret edhe me futbollistët, por kuptohet që “miniera e artë” është brenda familjes. Pere Guardiola është parë kohët e fundit në rrugët e Torinos dhe drejtuesit bardhezinj e kanë ftuar për një takim njohës. Në Angli shkruajnë se në ditët e pushimit Guardiola ka bërë një vizitë “blitz” në Milano “për arsye personale”. Dikush e ka parë të drekojë në një restorant prestigjioz në qendër të Milanos me disa persona. Aludimet mund të qëndrojnë, por kuptohet që një person i njohur si trajneri spanjoll mund të ketë edhe biznese të ndryshme nëpër Europë. Megjithatë, në gjithë këtë histori ka një të vërtetë: Juventusi po reflekton për të sjellë në Torino një trajner si Guardiola, që do të ishte goditja e dytë e madhe pas Kristiano Ronaldos.

Pep Guardiola

Por gjithçka varet nga shifrat. Guardiola ka një kontratë deri në vitin 2021 me Mançester Sitin, pas rinovimit në maj të vitit të kaluar, kur fitoi titullin në Premier League. Pagesa për spanjollin është 20 milionë stërlina, që korrespondon me 23.5 milionë euro. Dhe Mançester Siti nuk është klub që i lejon personat të largohen aq lehtë. Trajneri katalanas nuk ka ndonjë motiv të kërkojë largimin, sepse përveç pagesës së lartë, atij i plotësohen në çdo moment kërkesat në merkato. I vetmi element në favor të Juventusit mund të jetë forca e Mançester Sitit: nëse fiton titullin dhe Championsin, mund të jetë vetë trajneri që do të kërkojë largimin, pasi nuk ka çfarë kërkon më shumë sezonin e ardhshëm.

Për momentin është një ëndërr, ashtu siç ishte vitin e kaluar edhe Kristiano Ronaldo, por që u realizua në fund. Historia mund të përsëritet. Zinedine Zidane, aktualisht pa ekip, është kandidati kryesor për të pasuar Masimiliano Alegrin në stolin e Juventusit. Francezi do të kënaqej me një pagesë “normale”, diçka më shumë se 7.5 milionë eurot që merr aktualisht Alegri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë