Lajme

Dosja ‘Babale’, Prokuroria merr të pandehur Ervin Salianjin

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji për çështjen Xhafaj-Babale. Ish-deputeti është thirrur të premten, më 8 mars, të njihet me akuzën.
Ervin Salianji është në hetim për “Shpifje dhe kallëzim të rremë” të kryer në bashkëpunim.
Përmes një audio-përgjimi të publikuar në media në Shqipëri, dhe që më tej u kthye edhe në akuzën e opozitës ndaj qeverisë, u pretendua se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, fliste me Albert Veliun, njohur si “Babale” për pazare droge. Por, zëri i audios rezultoi të mos ishte i Agron Xhafës.
Më datë 25 shkurt, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e deputetit demokrat, tashmë me mandat të dorëzuar, Ervin Salianjit, për moszgjatjen e hetimeve në çështjen “Babalja”.
Gjykata i la afat prokurorisë deri më 20 mars që të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe të marrë një vendim se çfarë do të bëjë me hetimet për rastin e “Babales”, dosje në të cilën Salianji akuzohet për kallëzim të rremë.
Përveç deputetit të dorëhequr në hetim janë dhe Albert Veliu dhe i afërmi i tij që imitoi zërin e Agron Xhafës, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë