Të gjithë stadiumet e Shqipërisë do të jenë bosh këtë fundjavë. Topi nuk do të rrotullohet, sepse Shoqata e Arbitrave Shqiptarë ka vendosur ta bojkotojë kampionatin për shkak të pasigurisë për jetën. Nuk do të luhet asnjë ndeshje në të gjitha kategoritë, në kampionatet e moshave dhe futbollin femrave. Pa arbitra nuk mund të luhet futboll dhe klubet janë lajmëruar për këtë situatë. Pas lajmit për bojkotin e arbitrave priteshin zhvillime, por asgjë nuk ka ndryshuar dhe tashmë është zyrtare që këtë fundjavë nuk do të ketë futboll në Shqipëri.
Problematika e dhunës në stadiume ka nisur që në javën e parë të kampionatit, në ndeshjen Skënderbeu-Korça, për të kulmuar në javën e 24-t, kur arbitri Eldorjan Hamiti u dhunua barbarisht në stadiumin e Kamzës. Kjo skuadër është përjashtuar tashmë nga aktiviteti dhe sezonin e ardhshëm e nis aktivitetin nga Kategoria e Dytë, por kjo nuk e zgjidh problemin. Arbitrat mbeten sërish të rrezikuar për jetën. Imagjinoni pak: në vend të atij guri në dorën e drejtuesit të Kamzës mund të ishte diçka tjetër, që mund t’i merrte jetën arbitrit ndërkombëtar. Por ato pamje janë vetëm “maja e ajsbergut”, kategoritë inferiore të futbollit shqiptar janë një ferr i vërtetë. Duhet reagim, duhet ndërgjegjësim i të gjithë faktorëve të garës.

Bojkoti i kampionatit nga ana e arbitrave pritet t’i shkundë sadopak drejtuesit e klubeve, tifozët dhe mbi të gjitha Policinë e Shtetit, që duket se është e domosdoshme në stadiumet tona. Ky institucion vazhdon të qëndrojë indiferent ndaj kërkesave të shpeshta të FSHF-së për praninë e forcave të rendit në stadiume. Mbetet të shihet se çfarë reagimi do të ketë pas dhunës së Kamzës. E sigurt është që të paktën këtë fundjavë nuk do të luhet asnjë ndeshje futbolli.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje