Politike

Haradinaj fton në Prishtinë kryeministren serbe

Pavarësisht tensioneve me Beogradin dhe përplasjen për taksat ndaj importeve serbe, Kryeministri Ramush Haradinaj ka ndërmarrë ditën e sotme një nga lëvizjet më të papritura duke ftuar në Prishtinë kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç.

Burime për Gazetën Si kanë konfirmuar se Haradinaj synon të mbledhë kryeministrat e rajonit në prill në Prishtinë duke ftuar kështu edhe homologen e tij serbe.

Kjo do të ishte vizita e parë e Brnabiç në Kosovë dhe vizita e parë e një kryeministri serb në Prishtinë pas shpalljes së pavarësisë. Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negocimet e Zgjerimit Johannes Hahn pritet të ftohet gjithashtu në këtë takim.

Kryeministrja e Serbisë reagoi menjëherë pas raporteve duke thënë se deri më tani nuk ka marrë asnjë ftesë.

Ramush Haradinaj dhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç

“Nuk kam marrë asnjë ftesë për një takim të tillë”, ka deklaruar Branabiç, e cila ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se po përpiqet t’u hedhë hi syve Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara duke organizuar një samit rajonal në Prishtinë.

Sipas burimeve, tema qendrore e këtij takimi pritet të jetë e ardhmja euroatlantike e rajonit dhe strategjitë për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ka kaluar njëzet vjet që nga përfundimi i luftës dhe që atëherë asnjë nga kryeministrat serbë nuk e ka vizituar Kosovën, edhe pse janë ftuar disa herë nga kryeministrat e Kosovës.

Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç kanë vizituar disa herë Mitrovicën dhe disa zona të tjera me shumicë serbe, por jo Prishtinën, mes frikës se kjo do të nënkuptonte njohjen e sovranitetit të Kosovës. Por po ashtu asnjë vizitë e kryeministrit apo presidentit të Kosovës nuk është realizuar as në Luginën e Preshevës e jo më ne Beograd.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë