Vendimi për bojkot nga arbitrat e futbollit, pas dhunës ndaj ndërkombëtarit Eldorjan Hamiti, bëri që këtë fundjavë të mos ketë asnjë ndeshje në të gjithë kategoritë. Një vendim ndoshta i papritur, që ka vënë në lëvizje edhe vetë kreun e qeverisë, Kryeministrin Edi Rama. Ai ka pritur në një takim kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Sigurisht, takimi ka pasur në qendër të vëmendjes situatën e fundit, dhunën në futboll dhe zgjidhjen e ngërçit me Policinë e Shtetit.
Sipas ligjit aktual, klubet e futbollit në Shqipëri duhet të garantojnë sigurinë në stadiume me polici private, ndërsa Policia e Shtetit duhet të qëndrojë jashtë stadiumeve. Por ky ligj ka sjellë shumë probleme. Që në javën e parë të kampionatit të Superiores pati dhunë dhe policia private u duk qartë se e kishte të pamundur ta administronte ndeshjen. Kulmi ishte në ndeshjen Kamza-Laçi, ku arbitri Hamiti u sulmua barbarisht nga drejtuesit e Kamzës. Për të mos folur për kategoritë inferiore të futbollit tonë, ku dhuna shfaqet në përmasa vërtet të frikshme.

Deri tani, kërkesat sistematike zyrtare të FSHF-së për rikthimin në stadium, Policia e Shtetit i ka injoruar, duke mos kthyer asnjë përgjigje. Por, pas takimit të fundit të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me Kryeministrin Edi Rama, gjërat kanë nisur të lëvizin. Të hënën është parashikuar një tryezë e rrumbullakët me përfaqësues të lartë të FSHF-së dhe të Policisë së Shtetit, që situata të marrë një zgjidhje. Ndoshta fundjavën e ardhshme kampionati do t’i kthehet normalitetit, nëse policia pranon të japë ndihmën e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje