Futboll

Tymnaja mbi Skënderbeun, më 16 prill seanca dëgjimore në CAS

Ditët e fundit janë përhapur në rrjetet sociale shumë fjalë nga burime jozyrtare se Skënderbeu është pranë fitores së betejës ligjore me UEFA-n në CAS. Madje, është thënë gjithashtu se klubi korçar do të përfitojë një dëmshpërblim të majmë për dënimin e pamerituar nga UEFA. “Qeveria” e futbollit europian e ka dënuar Skënderbeun me 10 vjet jashtë Kupave të Europës, pas akuzave për trukim ndeshjes në Europa League. Klubi korçar e ka ndjekur çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe është në pritje të vendimit.

Skënderbeu ka reaguar me një qëndrim zyrtar pas fjalëve të fundit, duke i quajtur ato thjesht thashetheme. Në komunikatën e klubit juglindor sqarohet së më 16 prill 2019 do të mbahet seanca dëgjimore në CAS, ndërkohë që ftohen tifozët korçarë të jenë sa më të qetë dhe të presin vendimin zyrtar, pa u ndikuar aspak nga thashethemet.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv

“Klubi i Futbollit “Skënderbeu” është i detyruar të sqarojë gjithë dashamirësit e ekipit dhe ata që duan të dinë më shumë për vendimin që presim nga CAS-i. Të gjitha ato që fliten në ambientet futbolldashëse, në mediet e shkruara dhe elektronike, dhe në rrjetet sociale, janë vetëm thashetheme. Jemi mësuar prej shumë kohësh me këto thashetheme dhe u themi tifozëve të qëndrojnë me “këmbë në tokë”. Të vetmet sqarime zyrtare mund t’i gjeni vetëm në faqen tonë. Ju njoftojmë se seanca dëgjimore në CAS do të jetë më 16 prill 2019 dhe sigurisht presim të qetë këtë ditë, bashkë me të edhe vendimin zyrtar. Jemi të qetë dhe të bindur se do të dalim fitimtarë në fund”, – shkruhet në sqarimin e klubit korçar, të publikuar në faqen e tij zyrtare.

Çështja e Skënderbeut ka ndikim edhe te klubet e tjera të Superiores. Nëse korçarët sigurojnë një vend që të çon Kupat e Europës dhe dënimi mbetet në fuqi, atëherë lirohet një vend për një ekip tjetër. Nëse Skënderbeu fiton të drejtën në CAS, atëherë lufta për Europën bëhet më e fortë. Pas 24 javësh kampionat, korçarët mbajnë vendin e 5-të, me 34 pikë. Ata kanë kaluar edhe në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pasi Kamza, kundërshtari i tyre në çerekfinale, është përjashtuar nga aktiviteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë