Futboll

Bajerni merr kreun e Bundesligës, Borusia nuk dorëzohet

Garë e fortë në kampionatin gjerman, ku Bajerni i Mynihut dhe Borusia Dortmund kryesojnë me pikë të barabarta, me bavarezët të favorizuar nga golaverazhi më i mirë. Skuadra e trajnerit Kovaç mundi 6-0 Volfsburgun në javën e 25-të të kampioantit, duke i dërguar një mesazh të qartë edhe Liverpulit para ndeshjes së kthimit në Champions. Borusia e Dortmundit mundi 3-1 Shtutgartin, por tashmë ka humbur kreun për shkak të golaverazhit.

Një mesazh shumë i qartë i Bajernit, jo vetëm në kampionatin gjerman. Me golat e Gnabrit, Levandovskit (2), Hames Rodriguesit, Mylerit dhe Kimish, bavarezët shkatërruan 6-0 Volfsburgun, duke marrë vendin e parë pas një kohe të gjatë. Fitoi edhe Borusia e Dortmundit, që kryesonte prej shumë javësh, por diferencën në këtë moment e bëjnë golat. Të dy ekipet kanë nga 57 pikë, por Bajerni e ka golaverazhin +35, ndërsa Borusia +33. Domethënëse edhe zgjedhja e trajnerit Kovaç, i cili aktivizoi mbrojtësit Humels dhe Boateng titullarë, duke iu përgjigjur vendimit të trajnerit Joakim Lëv për të lënë jashtë Gjermanisë këta dy lojtarë, bashkë me Tomas Mylerin.

Alkaser dhe Sanço festojnë golin e dytë të Borusias

Katër ditë para ndeshjes së kthimit me Liverpulin në Champions, Bajerni nuk shfaqi ndonjë ritëm të lartë në ndeshjen me Volfsburgun, por dominoi dhe arriti të shënonte plot 6 gola. Sulmuesi Robert Levandovski, aturo i dy golave, duket në formë të mirë. Por Borusia e Dortmundit nuk dorëzohet në garën e titullit kampion. Nëse bavarezët javë pas jave kanë gjetur formën e duhur, Borusia ka hasur shumë vështirësi, siç ndodhi edhe ndaj Shtutgartit. Megjithatë, kjo skuadër nuk mund të dorëzohet kaq lehtë në një kampionat, ku ka lënë shenjën e saj për shumë e shumë javë. Ndeshja me Shhtutgartin u zhbllokua nga një penallti e fituar nga Sanço dhe e kthyer në gol nga Rojs. Por miqtë barazuan me Kmpf dhe duhej të vinte minuta e 84-t, që Pako Alkaser ta kalonte Borusian sërish në avantazh. Rezultatin e vulosi Pulisiç, duke i dhënë ndoshta fund krizës së javëve të fundit, ku Borusia kishte vetëm një fitore në tetë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë