Lajme

Shembja e banesës te Petro Nini, tërhiqet policia dhe përmbaruesit (foto)

Pas më shumë se 5 orë përplasjeje me familjarët e banesës te zona e “Petro Ninit” në kryeqytet, punonjësit e përmbarimit dhe forcat e rendit janë larguar.
Banorët vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur për të mos e liruar banesën. Ata kanë treguar para mediave se prej dy muajsh fadromat kanë qëndruar para banesës për ta shembur, ndërkohë që kjo godinë ka qenë objekt i përplasjeve të vazhdueshme gjyqësore
Banorët u shtrinë në rrugë duke bllokuar dhe qarkullimin e automjeteve.
“Është investimi i një jete”, është shprehur njëri nga banorët.

Seide Dervishi, e cila është nusja e shtëpisë, tha për Gazetën “Si” se historia e stërzgjatur është në favor të Aleksandër Gavocit, i cili pretendon se është pronar i tokës ku është ndërtuar shtëpia.
“Ne kemi biseduar dy herë më zotërinë dhe në të dyja herët kemi ndjekur kushtet e atij. Tashmë ai vjen dhe thotë që do të marrim shtëpi ku dëshiron ai. Unë nuk lëviz që këtu. Këtu ka lindur vjehrri im, ka lindur burri im dhe këtu do të lind edhe fëmija im. Askush nuk ka të drejtë të na të na marrë atë që është e jona,” thotë mes lotësh ajo.
Përpos familjarëve edhe shumë banorë të zonës janë të shqetësuar se si do të shkojë fati i tyre. Ata kanë qenë dëshmitarë të të gjithë ngjarjes dhe mbështesin vazhdimisht banorët duke i thënë që të mos dorëzohen.

Shumë prej familjarëve kanë kaluar gjendje të fikëti gjatë konfrontimeve me përmbaruesit dhe punonjësit e policisë.
Ata pretendojnë se shtëpia e tyre është me dokumente të rregullta dhe shteti po përpiqet t’ua marrë në mënyrë të paligjshme.

Historia ka filluar që në vitin 2013, ku katër gjyqtarë kanë zhvilluar tetë seanca gjyqësore, duke mos i njoftuar banorët që shtëpia e tyre do të shembet sepse tokës i ka dalë pronari, ndërkohë që nga ana tjetër banorët thonë se shtëpia e tyre është legalizuar totalisht në vitin 2009. Kjo pronë është sekuestruar në vitin 1939. Avokatët e banorëve shprehen se sipas ligjit nuk mund të kthehen pronat e sekuestruara para vitit 1944. Ata janë shprehur se ndërkohë palët kanë arritur një marrëveshje në vitin 2015 dhe për këtë fakt, Përmbarimi nuk mund të veprojë.
“Kjo është një situatë jashtë çdo norme ligjore sepse nuk mund të prishet një marrëveshje dypalëshe pa vendim gjykate,” shprehet avokati i banorëve Ndue Pjetra.

Banorët e kanë përshkallëzuar rezistencën e tyre, duke hedhur edhe vezë drejt punonjësve të përmbarimit, të cilët ndodheshin pranë banesave të tyre për të ekzekutuar vendimin.
Por, ajo çfarë ka rënë në sy është se rezistencës së tyre u janë bashkuar edhe banorë të tjerë që jetojnë aty afër si dhe qytetarë të tjerë të Tiranës, të cilët janë sensibilizuar me këta banorë.
Kryefamiljari deklaroi se punonjësit e Bashkisë janë shfaqur sot për të shembur shtëpinë e tyre, pavarësisht se procesi gjyqësor nuk është mbyllur ende.

Ndërsa efektivja e policisë Blerta Dervishi e cila është banore në këtë shtëpi tha se nuk ka lënë asnjë institucion pa shkuar dhe ende nuk është zgjidhur asnjë. Ndërkohë që flet me avokatin ajo shprehet se nuk di se ç’të bëjë më në këtë situatë. “Përveç se të veprojmë me forcë nuk na ka ngelur zgjidhje tjetër,” thotë ajo e përlotur, ndërsa qytetarët e mbështesin vazhdimisht duke bërtitur njëzëri “Blerta mos u dorëzo”

Mësohet se ky truall me vendim gjykate u është rikthyer ish-pronarëve dhe për rrjedhojë IKMT do zbatojë vendimin për shembjen e kësaj banese. Gjithashtu, ata kanë ndezur edhe disa vatra zjarri pranë banesës.

Ndërkohë që nga avokatët u bë me dije se gjatë ditës së martë në orën 9 të mëngjesit vendimi i zyrës përmbarimore do të apelohet në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes së banorëve të zonës së Petro Ninit në Tiranë me forcat e rendit dhe përmbaruesit për zbatimin e vendimit të gjykatës.
Në mesazhin e tij, Rama shprehet se qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave. Po ashtu sulmon mediat, duke thënë se përzien gjërat pa lidhje.
“Të trishtueshme pamjet nga rruga e shtëpisë ku kërkohet ekzekutimi i një vendimi gjyqi të formës së prerë. Por e trishtueshme edhe se si Kazani i përzien gjërat pa lidhje!
Qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit”, shkruan kryeministri Rama.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka kritikuar policinë, duke thënë se në këtë rast nuk u treguan dinjitozë dhe efikase.
“Mirëkuptim të plotë për reagimet ndaj pranisë së Policisë Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor, mbi një vendim gjykate të formës së prerë.
PSH ka detyrimin ligjor të mbështesë përmbarimin, por ka edhe detyrimin të jetë dinjitoze dhe efikase. Kjo s’ka ndodhur në këtë rast!”, shkruan ministri Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë