Lajme

Kupa me 3 ndeshje çerekfinale, Partizani dhe Kukësi të parët në fushë

Partizani-Luftëtari dhe Teuta-Kukësi janë dy ndeshjet e para që luhen sot, në kuadër të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Janë ndeshjet e para pas ndërprerjes së aktivitetit, për shkak të bojkotit të arbitrave nga dhuna ndaj tyre. Policia do të kthehet në stadium për të garantuar sigurinë, duke nisur nga ndeshjet e sotme.

Partizani e pret Luftëtarin në stadiumin “Elbasan Arena”, pasi në “Selman Stërmasi” luan vetë Tirana ndeshjen e saj me Laçin. Të kuqtë kryesojnë kampionatin dhe kanë si objektiv parësor titullin, por edhe në Kupën e Shqipërisë nuk do të tolerojnë, aq më tepër kur kanë ardhur deri në këtë fazë. Trajneri Skënder Gega mund të bëjë ndonjë lëvizje në formacion, për të ruajtur energjitë për ndeshjen e kampionatit me Teutën. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe trajneri Julian Ahmataj te Luftëtari, ekip që ka si objektiv qëndrimin në Superiore.

Nga ndeshja e fundit mes Teutës dhe Kukësit në kampionat

Në orën 17:00 zhvillohet ndeshja e dytë çerekfinale e Kupës së Shqipërisë. Teuta pret Kukësin në stadiumin “Niko Dovana”. Kupa është një shans i mirë për të dyja skuadrat, jo vetëm për të shkuar në Europë, por edhe për të fituar një trofe këtë sezon, duke qenë se për titullin kampion kanë më pak shanse. Pritet një ndeshje e luftuar në Durrës, ku Teuta do të përpiqet të shfrytëzojë faktorin fushë. Kukësi ka disa mungesa nga dëmtimet, megjithatë synimi është një rezultat pozitiv për ta bërë më të lehtë kualifikimin në gjysmëfinale në ndeshjen e kthimit.

E veçanta e Kupës së Shqipërisë është se në çerekfinale do të luhen vetëm tri dhe jo katër ndeshje. Skënderbeu kalon direkt në gjysmëfinale, pas përjashtimit të Kamzës, kundërshtarit të tij në këtë tur, nga të gjithë aktivitetet. Të mërkurën Tirana pret Laçin dhe ky është një tjetër çift interesant në çerekfinale, pasi të dy ekipet kërkojnë me ngulm t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni për të luajtur në Kupat e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë