Futboll

Kur Didier Drogba ndali luftën civile me golat e tij

Futbolli është sporti më i ndjekur në botë, kjo nuk ka diskutim. Dhe duke qenë i tillë, ndodh shpesh që të përdoret edhe për qëllime të tjera. Të zbresësh në fushë për të mirën e skuadrës dhe të shokëve, është njëra anë, ndërsa ta bësh këtë gjë me synimin për të ndalur një luftë civile dhe për të vënë paqe në vendin tënd, mund të duket një utopi në sytë e të tjerëve.

Por nuk është kështu për Didier Drogba, ish-sulmuesin e famshëm të Çelsit, që në karrierën e tij ka fituar gjithçka në nivel klubesh. Në kombëtaren e Bregut të Fildishtë ai është konsideruar shpëtimtar kur gjithçka, por vërtet gjithçka, dukej e humbur. Është tetori i vitit 2005. Bregu i Fildishtë sapo ka arritur kualifikimin për në Botërorin e 2006-ës në Gjermani. Një arritje e paimagjinueshme për një vend, që për më shumë se prej vitesh jeton një në luftë civile. Jetët e humbura janë të pallogaritshme, por stadiumi është i mbushur me njerëz. I gjithë vendi është i përqendruar te ky stadium dhe përjeton me emocione të mëdha atë që mund të jetë dita më e lumtur për Bregun e Fildishtë.

Didier Drogba, ish-sulmuesi i Bregut të Fildishtë dhe Çelsit

Dhe këtë Drogba e di mirë. Sulmuesi është i ndërgjegjshëm për faktin që influenca mediatike dhe figura e tij në nivel ndërkombëtar mund të bëjë diferencën. Mund të bëjë më shumë se apeli i politikanëve, më shumë se manifestimet për paqe, më shumë se çdo slogan për të ndalur valën e dhunës në vend. Pas vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes Sudan-Bregu i Fildishtë (1-3) dhe kualifikimit për në Botërorin e Gjermanisë, Drogba futet në dhomat e zhveshjes, merr në dorë mikrofonin e trupës televizive që ishte në stadium dhe në transmetim direkt bën një apel: mjaft më me luftë!

Didier Drogba

“Le t’i lëmë ndarjet, të dorëzojmë armët dhe të shkojmë në Gjermani për të shijuar Botërorin! Të gjithë bashkë, të gjithë të bashkuar!” Fjalë të thjeshta të Didier Drogba, por që brenda pak javësh dhanë efekt. Bregu i Fildishtë shkoi në Botëror dhe luajti mirë, edhe pse nuk mundi ta kalonte grupin, ku bënin pjesë edhe Holanda e Argjentina. Me përfundimin e kompeticionit, u kthye edhe dhuna në Bregun e Fildishtë. Vendi u zhyt më thellë në errësirë dhe rebelët morën kontrollin sërish, duke shkaktuar viktima vazhdimisht. Kjo situatë nuk e dekurajoi Drogbanë, i cili e kuptoi mirë se, nëse Botërori shërbeu për pak ose për asgjë, Kupa e Afrikës do të shërbente për shumë.

Propozimi i sulmuesit këtë radhë ishte unik: ai donte që ndeshjet përgatitore të turneut të luheshin në një qytet të kontrolluar nga rebelët, për t’u dhënë atyre një sinjal force dhe bashkimi, që do t’i jepte fund gjendjes së luftës. Askush nuk besonte se do të realizohej dëshira e Drogbasë, por figura e tij në atë kohë, ishte më e rëndësishme se e shumë politikanëve. Në fund u vendos të luhej në Bouake, nj bastion i antiqeveritarëve, në një klimë tensioni, por edhe të një feste totale. Bregu i Fildishtë fitoi 5-0 dhe Drogba realizoi golin e fundit. Tifozët festuan, shijuan momentin, duke dashur ta harronin të keqen dhe dhunën e përjetuar në 4 vitet e fundit. Futbolli dhe Drogba atë ditë ishin më të fortë se gjithçka dhe se të gjithë. Atë ditë kishin ndalur luftën dhe kishin bashkuar ata që deri në atë moment nuk pranonin as t’i jepnin dorën njëri-tjetrit.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë