Lajme

Rama: Ferma në UBT, ëndërr me sy hapur

Për herë të parë, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ketë fermën e vet didaktike në shërbim të studentëve dhe pedagogëve. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor tha se ndërtimi i fermës do të realizohet në bazë të partneritetit qeveri-universitete, në kuadër të angazhimeve për “Paktin për Universitetin”.
“Kemi domosdoshmërinë që ta bëjmë këtë potencial edhe në funksion të mësimit më cilësor të studentëve. Ky universitet ishte një qendër ekselence me reputacion ndërkombëtar për kërkimin shkencor. Ne kemi diskutuar me rektorin që në takimin e parë masterplanin dhe gjërat morën rrjedhën e duhur falë protestës”, tha ndër të tjera kryeministri.
Ajo që po diskutoja me rektorin është kjo që Universitetit Bujqësor i takon të krijojë edhe një model me të tjerët, ku përfshihen pedagogë dhe studentët më të mirë dhe një terren që shërben si destinacion për praktikat mësimore dhe të gjitha proceset eksperimentale. Unë besoj që ky territor të përfshihet në listën e atraksioneve turistike të Tiranës, duke u shndërruar në një zonë tërheqëse për vizitorët nga jashtë. Kjo nuk është një ëndërr me sy mbyllur. Është një ëndërr me sy hapur”, u shpreh Rama.
Projekti përfshin ngritjen e infrastrukturës didaktike trajnuese dhe demonstruese, sistemimin e tokës dhe rehabilitimin e sistemit të ujitjes, rritjen e mekanizimit, mbarështimin e kafshëve dhe krijimin e koleksioneve të bimëve. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një qendër kërkimore për pedagogët, për praktikat mësimore të studentëve dhe për trajnimin e specialistëve të bujqësisë. Do të jetë gjithashtu edhe një atraksion për turistët, sidomos pjesa e kopshtit zoologjik me kafshët e buta.
Vendimi për ngritjen e fermës vjen pas punësimit të rreth 373 studentëve ekselentë në administratën publike, 31 prej tyre janë punësuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë