Fitorja e shqiptarëve në Tuz, ka bërë që Presidenti i Malit të Zi të akuzojë kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Hashim Thaçi se kanë ndërhyrë në punët e brendshme të vendit të tij. Milo Gjukanoviç e bëri të qartë pakënaqësinë duke thënë se liderët shqiptarë kontribuuan në humbjen e partisë së tij në zgjedhjet lokale në komunën e re të Tuzit.
Presidenti malazez ka kritikuar ashpër zyrtarët nga Kosova dhe Shqipëria për mbështetjen e koalicionit që fitoi zgjedhjet lokale të mbajtura në komunën e sapoformuar të Tuzit.
Forumi Shqiptar fitoi gjysmën e vendeve në zgjedhjet e para historike lokale në Tuz, duke inatosur jo pak presidentin malazez.
Gjatë fushatës zgjedhore, si presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ashtu edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u bënë thirrje partive shqiptare për unitet dhe mbështetën bashkimin e tyre për të fituar Tuzin.

Pasi partia e tij doli e dyta në zgjedhje, Presidenti reagoi ashpër ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare duke thënë se ai nuk ka ndërhyrë kurrë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës
“Gjithmonë përpiqem të mos ndërhyj në proceset politike në vende të tjera. Unë kurrë nuk i kam bërë thirrje votuesve malazezë në asnjë vend të botës që të bashkohen, por rekomandimet e tilla nga vendet e jashtme kanë kontribuar në këtë rezultat, “tha Gjukanoviç.
Megjithatë, Gjukanoviç përshëndeti Forumin Shqiptar për triumfin.”Kemi pasur një proces të rregullt dhe unë përgëzoj koalicionin shqiptar për fitoren e tij dhe besoj se triumfi i tyre do të mbështesë stabilitetin shumetnik të Malit të Zi”, tha Gjukanoviç.
DPS e Gjukanoviç nuk do të bashkohet me bisedimet e koalicionit në Tuz, pasi tani për tani, kryetari i ri Nik Gjeloshaj, i cili mban 16 nga 32 vendet këshillin e komunës, ka ftuar për bisedime partinë boshnjake.
“Ne do të zgjedhim partinë më të cilën do të formojmë qeverinë. Do të respektojmë vullnetin e atyre forcave politike që duan të bashkëpunojnë … dhe kjo do të jetë kushti kryesor për formimin e shumicës qeverisëse në Tuzi”, deklaroi ai së fundmi.

Triumfi në Tuz është një nga fitoret më të mëdha të partive shqiptare në vendin fqinj. Bashkimi i tyre u përshëndet nga të gjithë aktorët politikë në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët i kishin bërë prej kohësh thirrje politikanëve shqiptarë në vendin fqinj që të bashkëpunonin. Ish-ministri Ditmir Bushati ka zhvilluar një sërë takimesh me partitë shqiptare në Mal të Zi.
Pas fitores, shqiptarët festuan në rrugë me flamuj dhe këngë kombëtare, duke shkaktuar jo pak pakënaqësi në mesin e partive të tjera.
Zgjedhjet patën një pjesëmarrje të lartë, për shkak të shumë se shumë shqiptarë të diasporës u kthyen nga SHBA-ja dhe Europa për të votuar dhe mbështetur koalicionin shqiptar.
Gjatë fushatës zgjedhore, partitë shqiptare u mbështetën nga zyrtarët e Kosovës dhe Shqipërisë, madje në Forumin e Disaporës, kryeministri Edi Rama e konsideroi fitoren në Tuz si arritjen më të madhe të shqiptarëve në Mal të Zi dhe u kërkoi të qendronin gjithmonë të bashkuar. “Kur shqiptarët bëhen së bashku, do të korrin gjithmonë fitore”, tha Rama në takimin e nivelit të lartë në Tiranë.

Presidenti Hashim Thaçi u bëri po ashtu thirrje shqiptarve për unitet, duke theksuar se akte të tilla janë shembull për të gjithë shqiptarët. Edhe Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj po ashtu ofroi mbështetjen e tij, duke bërë thirrje që të votohej për forumin shqiptar, deklarata të cilat duket se kanë cuar në reagimin e ashpër të presidentit malazez.
Triumfi historik erdhi pasi tre partitë shqiptarë në Mal të Zi vendosën të bëheshin së bashku nën moton “Malësia na Bashkon”. Gjeloshaj ishte kthyer prej kohësh në një sfidë më vete për Podgoricë duke kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët. Ai ishte kandidati i përbashkët i koalicionit të tre partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar
Duke premtuar forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve ekonomike , ai triumfoi me 3682 vota, ose rreth 50% të totalit. Gjeloshaj e ka nisur karrierën e tij politike si aktivist dhe ka formuar tanimë një parti mjaft energjike që përbëhet kryesisht nga të rinj dhe intelektualë.
Ekspertët thonë se programi ekonomik i Geloshajt rezulton të jetë në fakt mjaft ambicioz. Për Gjek Gjonlekaj, plani i tij për të lidhur marrëdhënie të ngushta me kompanitë e mëdha në Shqipëri është i një rëndësie të madhe për të gjithë shqiptarët e Malit të Zi .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje