Lajme

Rama në Berat: Veprimet e opozitës nuk prekin qeverinë

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në Berat në turin e takimeve “Bashkia që duam” ka vënë në pah situatën politike ku ndodhet vendi. Kreu i qeverisë ka thumbuar opozitën e bashkuar, që sipas tij, pasi dogji mandatet parlamentare ka ikur në drejtim të paditur.
Ai ka theksuar ndër të tjera se nga veprimet e opozitës nuk humbet shumica qeverisëse, por preket Shqipëria duke u shfaqur në sytë e botës si një vend që nuk duhet shkuar dhe investuar.
“Gjendemi në një situatë politike absurde. Të zgjedhurit nga populli braktisën detyrën. Por duhet të dinë se e vetmja gjë që nuk preket në këtë pikë është qeveria. Por preket Shqipëria sepse shfaqet në sytë e botës si një vend që nuk duhet shkuar për ta vizituar, për të investuar. Nëse urën që kalohet këtu e kalojnë më pak vizitorë ka më pak të ardhura dhe më pak lekë që shkojnë në shtëpitë e çdo shqiptari. Ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë qeverisë dhe Partisë Socialiste. Ata janë duke i rënë vetes”, u shpreh ndër të tjera Rama. Kryeministri nuk ka lënë pa ironizuar edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi për deklaratat e kësaj të fundit se Zoti duhet të mbronte shqiptarët nga vjedhja e votës.
“Përveç zgjedhjeve ata kanë edhe hallin tjetër, se po krijohet drejtësia që u munduan ta ndalojnë që në ditën e parë. Këtu jemi në të gjitha organizmat elektoralë që lidhen me LSI, po a e mban dot Shpiragu në shpinë klithmën e Monikës: ‘O Zot mbroji shqiptarët nga blerja e votës’. Kur Monika ngre kokën e thotë shpëtoni shqiptarët, ç’të bëjë Zoti? Thotë më mirë s’po ndërhy në çështje elektorale se i bie të ndihmoj njerëzit nga Monika. Të mos flas për Malin e Tomorit, se i bie të ngjallet Abaz Aliu e të luftojë me gjithë fallxhorët e Monikës. Nuk kemi ndjenjë negative ndaj askujt, ne na vjen keq edhe për Monikën edhe për Lulin”, vijoi më tej Rama.

Sa i përket qytetit të Beratit, kryeministri Rama tha se gjatë qeverisjes së PS ky qytet ka ndryshuar shumë dhe numri i turistëve po rritet dita-ditës.
“Qyteti i Beratit ka ndryshuar shumë, por ka edhe më shumë për të ndryshuar. Këtu në Berat ne i kemi kthyer sytë nga e ardhmja, duke krijuar një hapësirë ku rritet çdo ditë numri i turistëve. Potenciali është për të zhvilluar jo vetëm turizmin, por edhe agroturizmin. Agroturizmi është përgjigjja e duhur për ekonominë. Po ashtu kemi nisur programin e 300 qendrave shëndetësore”, u shpreh kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë