Lajme

211 vjet burg për huliganët që sulmuan parlamentin maqedonas

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me gjithsej 211 vjet burg 16 të akuzuarit për dhunën në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2018.

Gjykata dënoi ish-shefin e policisë dhe ish-ministrin e brendshëm Mitko Cavkov me 18 vjet burg për rrezikim e rendit kushtetues. Cavkov dhe shumica e punonjësve të tjerë të policisë dhe të sigurisë akuzohen se nuk reaguan siç duhet për të parandaluar sulmin e dhunshëm ndaj parlamentit dy vjet më parë.

Sulmi ndodhi pasi ish partia qeverisëse VMRO DPMNE u përpoq të ndalonte socialdemokratët e opozitës që të formonin qeverine. Mbështetësit e VMRO DPMNE sulmuan ndërtesën vetëm disa minuta pasi shumica e re kishte zgjedhur një kryetar të ri parlamenti, shqiptarin Talat Xhaferi. Punonjësit e policisë Mitko Peshov dhe Dusko Lazarov u dënuan me 15 vjet burgim, ndërsa Oliver Popovski mori 13 vjet.

Goran Gjoshevski, ish-shefi i sigurimit të ish kryetarit të parlamentit Trajko Veljanoski, u dënua me 15 vjet burg. Ndërkohë Oliver Radulov, truproja i ish-shefit të policisë sekrete Vladimir Atanasovski, u dënua me 10 vjet burg.

Gjykata liroi nga të gjitha akuzat një nga udhëheqësit e protestuesve që sulmuan parlamentin, tenorin Igor Durlovski. Disa nga punonjësit e policisë dhe të sigurisë kanë insistuar në gjykatë se ishin të pafajshëm, ndërkohë që shumica e sulmuesve thanë se veprimet e tyre ishin të nxitura nga emocionet.

Gjyqi, një nga më të mëdhenjtë në historinë e kohëve të fundit të vendit fqinj, filloi në gusht të vitit të kaluar.

Fillimisht, 33 persona, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të policisë dhe deputetë dhe përkrahës të VMRO DPMNE dolën para gjykatës, por në dhjetor, parlamenti miratoi një Ligj shumë të diskutueshëm amnistie duke liruar nga akuzat 15 persona.

Nga pesë deputetët që morën amnisti, dy prej tyre Krsto Mukoski dhe Saso Vasilevski, hapën derën kryesore të ndërtesës së parlamentit, duke lejuar turmën që të sulmonte deputetët.

Prokuroria e Krimit të Organizuar shtoi edhe pesë persona të tjerë në listën e të dyshuarve: ish-kryeministri Nikola Gruevski, i cili është arratisur në Hungari, ish-kryetarin e parlamentit Trajko Veljanoski, ish-ministrin e transportit Mile Janakieski, ish ministrin e punës Spiro Ristovski dhe ish-punonjësin e policisë sekrete Nikolla Boskoski, i cili po fshihet në Greqi.

Trazirat në Kuvend kishin nisur rreth orës 18.00 të datës 27 prill në momentin kur opozita e cila kishte siguruar shumicën, kishte nisur procedurën për zgjedhjen e Talat Xhaferit.

Turma jashtë Kuvendit nisi sulmin ndaj Kuvendit, pasi disa deputetë të VMRO-së i hapën dyert duke i orientuar drejt sallës së konferencave dhe për të hyrë më pas në sallën e parlamentit. Më shumë se 100 deputetë u plagosën, përfshirë edhe Ziadin Selën dhe Zoran Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë