Pas vizitës së dy përfaqësuesve të lartë amerikanë, në Kosovë janë përhapur një sërë raportesh se Uashingtoni zyrtar ka kërcënuar me largimin e trupave nga baza e Bondsteel në rast se kryeministri Ramush Haradinaj nuk tërhiqet nga vendimi për taksën ndaj importeve serbe.
Megjithatë, në një intervistë me mediat serbe, shefi i NATO-s, Jens Stotenberg e mohoi, duke deklaruar se aleanca veri-atlantike nuk do të tërhiqet nga Bondsteeli. Ai ka theksuar po ashtu se NATO-ja nuk planifikon të zvogëlojë praninë e trupave të saj në Kosovë.
“NATO do të vazhdojë të mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Stoltenberg. “Jemi këtu për t’i mbrojtur të gjithë njerëzit, përfshirë edhe komunitetin serb”, shton ai.
I pyetur “se si e sheh bombardimin e Jugosllavisë pas dy dekadave, Stoltenberg thotë se ishte “detyra e NATO-s të ndalte luftën dhe katastrofën humanitare, por edhe të ndalonte vrasjen e civilëve”.
“Çdo humbje e jetës së civilëve është tragjedi e madhe”, tha kreu i Aleancës, duke shtuar se e kupton se bombardimi vazhdon të jetë një temë delikate në Beograd.

Çështja e largimit të trupave amerikane është përmendur ditë më parë kur në Kosovë qëndruan dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të cilët kërkuan heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet. Ambasada amerikane ka mohuar që përfaqësuesit e SHBA të kenë kërcënuar me largim të ushtarëve, por lajmet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Kampi amerikan u ndërtua për të strehuar forcat paqeruajtëse amerikane pak pasi Kosova u shkeput nga Serbia në vitin 1999. Baza mund të mbajë deri në 7000 ushtarë dhe punëson tani për tani qindra banorë të zonës. Kampi amerikan ofron gjithashtu spitalin më të mirë në Kosovë, një kishëz të vogël, një stacion policor dhe një qendër edukimi.
Edhe pse mirëmbajtja e bazës i kushton SHBA-së qindra milionë dollarë dhe situata në Kosovë është normalizuar, qeveria amerikane nuk ka dhënë asnjë sinjal për mbylljen e bazës në Ferizaj.
Dhe sigurisht në një rajon si Ballkani, bazat ushtarake lënë mjaft vend për diskutim, teori komploti, frikë dhe njëkohësisht, siguri se “Amerika do jetë gjithnjë këtu për na mbrojtur”. Disa kanë spekuluar se Bondsteel vazhdon të jetë i hapur për të ruajtur një tubacion gazi natyror. Të tjerë thonë se baza amerikane do të vazhdojë të qëndrojë në rajon për të mbajtur një sy nga Serbia dhe aktivitetet e dyshimta të Rusisë.
Pozicioni i kampit e bën Bondsteel vendin më të rëndësishëm ushtarak të SHBA-së në Europë. Të gjitha pikat e rëndësishme strategjike të rajonit janë të aksesueshme nga kampi: kontigjenti ushtarak i SHBA –së në Maqedoni dhe Bosnje, baza ushtarake amerikane në Itali dhe baza ajorore Incirllik në Turqi. Bondsteel ka një pozicion ideal edhe për vendet fqinje të NATO-s, të cilat, në rast konflikti mund të fluturojnë për t’u pajisur me municione dhe përforcime brenda disa orësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje