Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është hapur gara për të zgjedhur prokurorin e Përgjithshëm.
Hapja e garës ishte paralajmëruar që më 1 shkurt nga drejtuesi i KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili është shprehur se në fillim të muajit qershor, do bëhet e mundur emërimi i kryeprokurorit të ri, post që mbahet aktualisht nga prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë një mandat 7-vjeçar.
Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i KLP-së Gent Ibrahimi, i pyetur nga gazetarët se, duke parë situatën politike ku ndodhet vendi, a do ta zgjidhnin ata kryeprokurorin e ri, u përgjigj se kjo përgjegjësi i takon Kuvendit.
“Koha që duhet për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm është dy muaj e gjysmë, por nuk është shpallur ende lista. Përgjegjësia për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm i takon parlamentit, ne përzgjedhim tre kandidatët më të mirë dhe Kuvendi vendos për atë më të përshtatshmin”, u shpreh Ibrahimi.
Kushtetuta e Shqipërisë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm parashikon një procedurë të veçantë që e detyron Kuvendin të zgjedhë drejtuesin e ri të Organit të Akuzës brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”, thotë neni 148/a, pika një e Kushtetutës.
Kështu Parlamenti duhet ta zgjedhë me 93 vota Prokurorin e Përgjithshëm duke detyruar mazhorancën dhe opozitën për të gjetur një konsensus për emrin e propozuar. Por në rast të një ngërçi, në mos të një konsensusi politik, Kushtetuta ka parashikuar një vendim që shmang Parlamentin.
“Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar”, thuhet në pikën 4 të nenit 184/a.
Mbi bazën e këtyre përcaktimeve KLP ka një peshë të madhe në vlerësimin e kandidatëve për prokurorë të Përgjithshëm, pasi kush do të renditet i pari mund të shpallet automatikisht fitues, në rast se Parlament nuk arrin të zgjedhë njërin prej 3 kandidatëve.
Kriteret për të përzgjedhur kryeprokurorin e ri:
Disa nga kriteret që duhet të plotësohen nga kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm janë: të kalojnë me sukses verifikimin e plotë të pasurisë dhe figurës së tyre, të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990.
Të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret. Të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale dhe të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi. Sipas ligjit, Këshilli do të rendisë tri kandidatët që plotësojnë kriteret dhe më pas do të dërgohen në Kuvend për votim.
Gjithashtu, KLP do vlerësojë edhe rezultatet e vlerësimit profesional të kandidatit në fushën e drejtësisë penale, integritetin moral dhe profesional, si dhe aftësitë organizative dhe drejtuese. Në rastet kur kandidatët kanë të njëjtën meritë, vlerësohet vjetërsia në ushtrimin e profesionit dhe eksperienca profesionale.
Gjatë mbledhjes së sotme, KLP miratoi gjithashtu edhe Rregulloren mbi Kriteret dhe Procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë SPAK.
“Janë 27 kandidatë në garën për SPAK. Vetingu do të miratohet nga ndërkombëtarët. Një gjë është e sigurt që prokurori që kandidon për t’u emëruar në SPAK duhet të ketë kaluar të dy filtrat e vetingut. Ka një listë me emra, po nuk e kemi dërguar, duhet bërë një verifikim nëse kandidatët i plotësojnë kushtet, listën zyrtare e shpiem në KPK. Ky proces do të ndodhë dy ditë pas miratimit të rregullores. Kusht për të hyrë në garë është titulli doktor i shkencave. Titujt e tjerë të japin pikë. Rregullorja e re kërkon të sigurojë meritokraci”, u shpreh Ibrahimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje