Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra në mes të Elbasanit, teksa qëndronte ulur në një kafe ka sjellë reagime të shumta. Së pari, nga ekzekutimi i stilit mafioz janë tronditur vetë avokatët.
Kështu Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka vendosur për të bojkotuar punën për një javë. Më herët, në reagimin e tyre pas vrasjes së avokatit ata u shprehën për bojkot treditor, ndërsa vendimi i sotëm e çoi bojkotin në një javë.
“Jemi të indinjuar për vrasjen e kolegut tonë. Jemi 30 vite demokraci dhe nuk mund të përqendrohemi vetëm te kapja e autorit. Ku është puna parandaluese? Si është e mundur të vritet një njeri i njohur e i respektuar në mes të qytetit? Asnjë e dhënë për autorin, çfarë po bën policia? Nuk është rasti i parë që nuk ka autorë. Nuk ka asnjë reagim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Ravik Gurra ishte anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
E papranueshme që asnjë përfaqësues nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë nuk ishte i pranishëm në varrimin e avokatit Gurra. Turp për Dhomën Kombëtare”, është shprehur Hysen Kovaci, kryetar i Dhomës së Avokatisë në Elbasan.
Ndërkohë, pas vrasjes së avokatit, në një reagim për mediat, Dhoma e Avokatisë bëri të ditur se 50-vjeçari ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Tiranë dhe theksohet se kërcënimet ndaj avokatëve po përshkallëzohen dita-ditës.
Ravik Gurra u vra tri ditë më parë në mes të Elbasanit. Avokati u qëllua me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:35, në një lokal në qendër të Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje