Lajme

Prezantohet Portali i Transparencës Universitare

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot Portalin e Transparencës Universitare. Ai tha se u-transparenca.al është një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë. Sipas tij, me anë të këtij portali do të krijohen mundësi dhe komunikim mes instancave të caktuara, pasi çdokush mund të shprehë opinione dhe ankesat e tij.
“Besoj që në këtë rast ne kemi vënë në dispozicion të universiteteve një instrument garancie, që duhet të përdoret nga universitetet dhe do të monitorohet nga qeveria për aq sa i takon qeverisë, sepse kjo nuk është detyrë e qeverisë, por e universiteteve. Pika më delikate e çdo organizate që shpenzon, që është buxheti të publikohet në të gjithë elementet e veta, jo vetëm si buxhet vjetor, por edhe si buxhet afatmesëm. Portali ka informacione të hollësishme mbi programet e shkëmbimit studentor së bashku me procedurat, mbi programet apo edhe bursat, kuotat e parashikuara”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri e vu theksin edhe te punësimi i studentëve ekselentë. Ai tha se pas 373 të parëve që tashmë janë pjesë e administratës, shumë shpejt do të bëhet edhe thirrja e dytë për aplikim. Sipas tij, vendin e punës e përcakton vetëm rezultati.
“Kemi filluar me 373 të parët, ata janë pjesë e administratës. Po përgatitet thirrja e dytë dhe faktikisht, të gjitha vendet e lira të punës në administratën e punës, por edhe ato që nuk janë pjesë e shërbimit civil do të jenë në dispozicion të atyre që kanë përfunduar me 9-10. Është një rrugë e hapur tani, tërësisht objektive. Ankesat që kemi pasur janë adresuar të gjitha”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Po ashtu bëri me dije se kanë nisur përgatitjet për kartën e studentit. Po ashtu po punohet për infrastrukturën e konvikteve.
“Kanë nisur përgatitjet, fazën e parë të implementimit do ta nisim me Bashkinë e Tiranës. Mbi atë model do të shtrihemi edhe në qytete të tjera universitare, duke garantuar një ndërveprim të kartës së studentëve shqiptarë dhe kartës evropiane të studentëve. Po punohet edhe për infrastrukturën e konvikteve”, shtoi kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë