Fatjon Rupi – Olghe Balliu është Lionel Mesi i ri? Por më mirë t’i largojmë krahasimet, sepse bëhet fjalë për një 13-vjeçar. Një talent nga Shqipëria, siç mund të kuptohet lehtë nga mbiemri, por edhe nga emrat e prindërve të tij, Lulëzim dhe Mimoza. Ai jeton në Itali dhe është pjesë e të rinjve të Çitadelës, ku janë të bindur se kanë në duar një fenomen. Një djalosh me dhunti të jashtëzakonshme, që xhonglon më mirë se vetë Lionel Mesi. Olghe u bë menjëherë i famshëm, pasi ka bërë 198 xhonglime me një top tenisi, kurse ylli i Barcelonës ka arritur deri në shifrën e 180 xhonglime. Shtypi sportiv në Itali i ka kushtuar vëmendje të veçantë, diku e quajnë italian dhe diku shqiptar.
Për të shuar çdo dyshim për klasin e këtij djaloshi dhe për lidhjen që ai ka me origjinën, mjafton të shihni videon, ku Olghe e ka shqiponjën dykrenare në zemër. Babai ka filmuar xhonglimet e të birit dhe kjo video po bëhet virale. Real Madrid është hedhur menjëherë në sulm dhe po e mban në mbikëqyrje djaloshin shqiptar, sepse pa mbushur 16 vjeç nuk mund të bashkohet me klubin madrilen. Olghe është 145 centimetra dhe është një nga 7 lojtarët e përzgjedhur nga Reali në turneun e fundit në Itali. “Olghe e ka marrë pasionin për futbollin nga babai i tij – tregon Mimoza, nëna e djaloshit, për agjencinë Ansa. – Që i vogël kishte gjithmonë topin në këmbë dhe që në moshën 5 vjeçare bënte 100 xhonglime. Idhulli i tij është Mesi, ka fizikun e tij dhe sheh veten tek ai. Kristiano Ronaldo është shumë më ndryshe, edhe pse Olghe është tifoz i Juventusit. Jemi të lumtur për të, por kemi edhe pak frikë. Ka shumë entuziazëm, por duhet parë e ardhmja”.

“Ëndrra ime është të bëhem futbollist”, – thotë Olghe menjëherë sapo e pyet çfarë dëshiron të bëjë. “Po e di, duhet shumë punë, por dua vetëm këtë gjë, futbollin”, – shton 13-vjeçari. Dhe kur të kërkon Reali mund të kuptohet lehtë se si ndihesh. Olghe Balliu ka këmbë që fluturojnë. Ai jeton në Riese Pio, në Trevizo. Babai i tij, 40 vjeç, është punëtor në fabrikë dhe ka luajtur në kategorinë e tretë, por Olghe këtë kategori as që e çon në mendje. “Baby” Balliu ka mahnitur vëzhguesit e Italisë dhe gjysmës së Europës, mbi të gjitha të Realit. Është më i shkurtri i grupit, por me këmbë magjike. “Dy javë më parë, – tregon babai Lulëzim, – filmuam një spot në Madrid për Adidasin, sponsorin e Realit”.
Por Reali nuk mund ta marrë që tani talentin shqiptar në Ciudad Real Madrid, në qendrën e tyre sportive, sepse duhet të jetë 16 vjeç. Duhen edhe 3 vite, por Reali e ka nisur punën tashmë. “Dy vite më parë, shkuam në kampingun e Realit në Kurtarolo, duke paguar 200 euro. Një trajner i tyre më tha: ‘Ne nuk vendosim kurrë notën 9, por një teknikë të tillë në këtë moshë nuk e kemi parë kurrë’. Shpresojmë tani”, – shprehet babai i Olghes. Një muaj më pas, Olghe dhe babai i tij u ftuan në Torino, në etapën e fundit të turit italian të madrilenëve. Ishte vera e 2017-ës. “Në korrik na ftuan në Madrid, për tre ditë vëzhgim”, – shton më tej babai Lulëzim, i cili u kthye në Spanjë bashkë me Olghen edhe më 4 janar, këtë herë me shpenzimet e Realit.

“Mesi është kampioni që e admiroj më shumë se të tjerët. Më pëlqen për mënyrën si driblon, është shumë i shpejtë dhe jep shumë asiste. Më frymëzon”, – thotë Olghe, kështu që te Reali kanë një problem për të zgjidhur. Masimiliano Sambugaro, përgjegjësi i anës teknike te Çitadelas, rrëfen se si dy vite më parë Olghe sfidoi “online” Mesin në goditjet e traversës nga këndi, pastaj bëri edhe shumë truke me topin. Tashmë është një personazh në rrjetet sociale. “Olghe është shumë i fortë, por duhet të përmirësojë edhe disa gjëra në lojë. Kjo është diçka normale për moshën e tij. I shkurtër? Unë shoh këmbët dhe teknikën”, – ka thënë Sambugaro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje