Futboll

Bindet Mançester Junajtid, kontratë 3-vjeçare për Solskjaer

Trajneri norvegjez, Ole Gunar Solskjaer, i cili mori drejtimin e Mançester Junajtid në dhjetor të vitit të kaluar, pas largimit të Hoze Mourinjos, i ka bindur drejtuesit e klubit dhe këta të fundit kanë zyrtarizuar qëndrimin e tij në stol edhe për tre vitet e ardhshme. Rezultatet e mira të “Djajve të kuq” në periudhën e fundit kanë bërë që marrëveshja mes palëve të mos mbyllet në fund të këtij sezoni.

Tani është zyrtare, e konfirmuar nga klubi anglez. Ole Gunar Solskjaer do të jetë trajner i Mançester Junajtid për tre vitet e ardhshme. Ai erdhi te kjo skuadër si trajner i përkohshëm, por shumë shpejt i ka bërë për vete të gjithë me ndryshimin e dukshëm të skuadrës në lojë dhe në rezultate. Më 19 dhjetor të vitit që shkoi, trajneri norvegjez dhe klubi anglez bënë një marrëveshje xhentëllmenësh, por Solskjaer ringjalli një skuadër që dukej në krizë totale me trajnerin e mëparshëm, Mourinjo.

Zyrtarzimi i Solskjaer nga klubi anglez

Rezultatet e Mançesterit me norvegjezin në krye flasin qartë: në 13 ndeshje kampionati ai regjistron 10 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, ajo me Arsenalin në javën e fundit. Një ecuri mjaft e mirë që e ka ngjitur Mançesterin në vend të 5-të në Premier League. Rezultatet të mira edhe në Champions League, ku “Djajtë e kuq” kaluan në çerekfinale, pasi eliminuan PSG-në me një përmbysje të madhe në Paris. Dhe tani është koha që trajneri Solskjaer të shijojë frytet e punës së tij në krye të skuadrës, me të cilën ka bërë histori edhe si futbollist.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë