Në moshën 31-vjeçare, sulmuesi Gonzalo Higuain i ka dhënë lamtumirën Argjentinës. Ka qenë vetë lojtari që ka bërë publik lajmin, duke lëshuar edhe akuza ndaj personave, të cilët, sipas tij, janë lumturuar për këtë gjë. Higuan aktivizohet me Çelsin aktualisht, ndërsa më parë ka veshur fanellat e Real Madrid, Napolit, Juventusit dhe Milanit.
Gonzalo Higuain ka vendosur të tërhiqet nga kombëtarja e Argjentinës në një situate delikate. Ai po kalon një moment të vështirë këtë sezon, ku nuk ka bindur as me lojë dhe as me gola me fanellën e Çelsit në Premier League. “El Pipita” shpresonte shumë të rigjente formën në janar, kur la Milanin, me vetëm 6 gola të shënuar, për t’u bashkuar me trajnerin Sarri te Çelsi. Po asgjë nuk ndryshoi dhe Higuain ka shënuar vetëm 3 gola me ekipin londinez. Dhe pas një periudhe të gjatë pa folur, Gonzalo Higuain është rikthyer me vendimin drastik të tërheqjes nga kombëtarja argjentinase.

Në një intervistë për “Fox Sports”, sulmuesi ka deklaruar: “Cikli im tek Argjentina ka përfunduar. Për lumturinë e shumë personave, tani e tutje do ta shoh vetëm nga jashtë ekipin kombëtar. Kam folur me trajnerin Skaloni dhe ia kam bërë të qartë vendimin tim. Tani dua të shijoj jetën me familjen. Jam i qetë për vendimin që kam marrë. Njerëzit mbajnë mend më shumë objektivat që nuk kam arritur se ato që kam arritur”. Ndeshja e fundit me fanellën e Argjentinës për Higuain është ajo e 26 qershorit 2018, në Botërorin e Rusisë, ndeshja e fundit në grup ndaj Nigerisë. Goli i fundit me kombëtaren është ai që ka shënuar në tetor të 2016-ës kundër Perusë. Me fanellën e Argjentinës Higuain ka shënuar 31 gola në 75 ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje