Shqipëria tashmë ka 10 vjet që është anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe sot janë mbledhur në Tiranë përfaqësues nga 29 vende të ndryshme, që janë pjesë e kësaj organizate.
Në sheshin “Nënë Tereza” u zhvillua ceremonia e 10-vjetorit të pranimit të Forcave të Armatosura në NATO nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes. Në shesh kanë parakaluar 3500 ushtarakë si dhe mjete luftarake.
Në ceremoni parakaloi edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Në ceremoni ishte Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, të cilët për një ceremoni të tillë kanë lënë mënjanë konfliktet e brendshme politike dhe kanë shtrënguar duart.

Gjatë fjalës së tij në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO Kryeministri Edi Rama vuri në pah veprën e rëndësishme të bazës së NATO-s në Kuçovë.
“Shqipëria po përgatitet që të nisë veprën e rëndësishme të bazës së NATO-s në Kuçovë, që do të jetë ndër më të mëdha të aleancës në këtë rajon dhe më moderne. Do të jetë një bazë e rilindur. Një rajon që pas 100 viteve luftë, falë edhe NATO-s, Ballkani gëzon sot më në fund, një periudhë paqe, ripajtimi dhe bashkëpunimi’, u shpreh kryeministri Rama.
Po ashtu, kryeministri deklaroi se integrimi i Kosovës në NATO është një domosdoshmëri.
“Shqipëria beson se integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri, jo për Kosovën thjesht, por për të gjithë familjen atlantike. Ballkani i gjithë në NATO është vizion strategjik dhe e Kosovës do të ishte një kapital i shtuar”, tha Rama.
Edi Rama kërkoi nga partnerët europianë që të besojnë te shqiptarët, ashtu si NATO-ja para 10 viteve që e pranoi në Aleancë.
“Buxheti i mbrojtjes për 2019 njeh një rritje 10%, ku përfshihet rritja e pagave për ushtarakët, do të vijojë modernizimi i FA-së. Jam i vetëdijshëm që nuk mjafton, viti që shkoi iu kushtua Skënderbeut. Falënderoj në emër të gjithë shqiptarëve aleatët tanë të mëdhenj, SHBA-në dhe europianët.
Procesi i integrimit duhet të vijojë në të njëjtën aftësi për të besuar te Shqipëria, që patën aleatët kur aprovuan anëtarësimin në NATO. Në një dekadë si pjesë e NATO-s, Shqipëria ka qenë mishërimi i shprehjes së Nënë Terezës ‘Jo të gjithë ne, mund të bëjmë gjerë të mëdha, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me përkushtim të madh’. Këtë Shqipëria do të vijojë që ta bëjë. Të parët na kanë lënë një amanet ‘Dielli i shqiptarëve lind nga Perëndimi’”, tha Rama.
Kreu i Shtetit theksoi se anëtarësimi në NATO ishte një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 10 vite më parë përbën një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Një mirënjohje të veçantë atyre burrave e grave në uniformë që udhëhoqën këtë arritje. Një falënderim të veçantë sot e kam për presidentin e SHBA-ve George W. Bush që me vizitën e tij në Tiranë frymëzoi përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh presidenti Meta.
Meta zotohet si president se do mbështesë çdo projekt për forcimin e Aleancës.
“Si president i Republikës do mbështes çdo nismë, çdo projekt që i shërben forcimit të kohezionit të Aleancës. Jam i bindur që rritja e buxhetit do mbetet përparësi. Lufta kundër terrorizmit kombëtar, emigracionit të paligjshëm, sulmeve kibernetike kërkojnë më shumë angazhim nga vendet tona”, deklaroi presidenti Meta.
Në ceremoni morën pjesë: ministra të Mbrojtjes dhe shefa shtabesh të vendeve anëtare dhe komandave të NATO-s, ambasadorë, atashe të akredituar në vendin tonë, parlamentarë, flamurtarë të vendeve anëtare të NATO, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





















Lini një Përgjigje