Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin e Urakës në Kurbnesh. Gjatë një takimi me banorët e zonës, ministrja Belinda Balluku tha se vendimi u mor pas ankesave që qytetarët adresuan në platformën e bashkëqeverisjes.
Sipas ministres Balluku qeveria ka nisur procedurat për prishjen e kontratave me kompanitë ndërtuese të HEC-ve.
“Qeveria është shumë e ndjeshme ndaj kërkesave të komunitetit dhe duke qenë se kjo zonë është shpallur një zonë e mbrojtur, këtu nuk do të lejohet ndërtimi i këtyre dy HEC-ve. Kjo është një zonë e mbrojtur, kështu që dhe në të ardhmen ju nuk do keni problematika të tjera. Ne e nxisim zhvillimin e ekonomisë, i mbështesim investitorët, por asnjëherë kur këto investime bien në kundërshtim me kërkesat, apo me të mirën e komunitetit”, tha ndër të tjera ministrja Balluku.
Deputetja e zonës, Lindita Nikolla, vlerësoi banorët për adresimin e shqetësimit të tyre që mori zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes.
Gjatë takimit ka pasur edhe një incident mes banorëve dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Mirditës.
Shkak për këtë është bërë fakti se disa prej banorëve që kanë kundërshtuar fuqishëm ndërtimin e HEC-eve ishin duke filmuar në momentin kur kryebashkiaku Ndrec Deda po sqaronte se pse HEC-i duhej ndërtuar në zonë. Nga ndërtimi i këtij HEC-i rrezikonte të mbetej pa ujë të pijshëm fshati Lufaj, i njësisë administrative Selitë.
Një prej punonjësve të Bashkisë që ai drejton i ka thyer telefonin një prej qytetarëve, çka ka shkaktuara tension mes palëve. Në ato momente ka ndërhyrë dhe ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila është deputete në qarkun e Lezhës.
Banorët e Kurbneshit të njësisë administrative Selitë, pak ditë më parë protestuan kundër ndërtimit të HEC-ve në lumin Uraka, si e vetmja pasuri që i ka mbetur zonës së Kurbneshit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje