Politike

Prezantohet biblioteka digjitale, Rama shigjeton pedagogët

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, kryeministri Rama ka prezantuar bibliotekën digjitale universitare ulibrary.rash.al., e cila është falas për studentë, pedagogë e studiues.
Kryeministri deklaroi se kjo është një arritje pas protestës së studentëve dhe se do ndihmojë çdo student në marrjen e informacionit.
“Ne si qeveri po mbajmë një premtim për të pasur bibliotekë digjitale universitare. UT tashmë është me bibliotekë digjitale. Kjo do të ndihmojë çdo student apo studente për të gjetur informacion për gjithçka që ata dëshirojnë. Ne po bëjmë gjithçka që studentët duan dhe na kanë kërkuar”, tha Rama.
Për kalimin e universiteteve në një stad tjetër, kryeministri tha se ka rezerva të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universitetit të Tiranës.
“Unë e kamë thënë edhe herë tjetër dhe nuk është sekret që për sa na takon kemi rezerva të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universitetit të Tiranës. Është koha për të adresuar inkompetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit të konstatuar në raport edhe me gjithçka që ne kemi bërë për të adresuar ankesat e studentëve. Ka ardhur koha të hapim një proces transparent për të adresuar këtë problem. Rektorati i Universitetit të Tiranës është vendi ku duhen të adresohen problemet dhe jo të krijohen”, tha kryeministri.
Kryeministri sërish vuri në pah edhe shitjen e librave të pedagogëve në këmbim të notës, si dhe ndarjen e pedagogëve sharlatanë dhe ata që e merritojnë vendin e punës.
“Është edhe shqetësimi i studentëve për tregun e shitjes së librave të pedagogëve në kërkim të notës. As kjo nuk po adresohet asgjëkundi.
Ajo që është më shqetësuese te studimet e larta është që duke mos ndarë pedagogët që meritojnë vendin që kanë nga sharlatanët që paraqiten si doktorë shkencash duke marrë më qafë studentët, sot ne nuk vendosim Universitetin në bazat e duhura për të pasur nesër një standard tjetër, këto janë çështje të patjetërsueshme. Ne do të ndërtojmë infrastrukturën e re të universitetit”, tha ndër të tjera Rama.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe cilësinë në arsim. Ai tha që është e domosdoshme të adresojmë problemin e mesatares, pasi do të ketë ndryshime edhe në mesatare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë