Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së është mbledhur më shpejt se zakonisht këtë radhë, duke ditur që të mërkurën luhen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe klubet mund të apelojnë pas dënimeve. Në qendër të mbledhjes së këtij komisioni ishte pa dyshim ndeshja Tirana-Laçi, pas së cilës pati tension dhe sherr mes pjesëtareve të dy skuadrave në ambientet e brendëshme të stadiumit “Selman Stëremasi”. Gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë, me ato pamje dhune që pushtuan shtypin në pak minuta. Protagonistët e fillimit të sherrit ishin sulmuesi i Tiranës, Majkëll Ngo, dhe presidenti i Laçit, Pashka Laska, të dy të dënuar.
Disiplina e ka dënuar Tiranën me 4 ndeshje pa tifozë, përshkak të sjelljes së tyre në ndeshjen e fundit, ku u ndërpre loja. Por jo vetëm kaq. Sulmuesi i saj, Majkëll Ngo, është dënuar me 5 ndeshje pezullim, ndërsa ndihmëstrajneri Emanuel Egbo me 2 ndeshje. Në anën tjetër, presidenti i Laçit, Pashkla Laska, dhe djali i tij Kleo Laska, janë dënuar përkatësisht me nga 3 dhe 9 ndeshje pezullim. Presidentit të Laçit i ndalohet hyrja në stadium dhe ambientet e brendëshme. Një tjetër zyrtar i Laçit i dënuar nga Komisioni i Disiplinës është Klevis Hima, edhe ai me 9 ndeshje, pasi ishte protagonist në sherrin pas ndeshjes të së shtunës. Partizani ka marrë një paralajmërim për shkak të sjelljes së tifozëve, kurse Vllaznia është paralajëmruar për shkak të vonesës në fillimin e ndeshjes.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:
FK “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke shkaktuar ndëprerjen e përkohëshme të lojës, në bazë të Nenit 66/3/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
Lojtari i KF “Tirana”, Michael Ayodeji Ngo, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Zyrtari i KF “Tirana”, Emanuel Egbo, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 ndeshje pezullim.
Zyrtari i KF “Laçi”, Pashk Laska, për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 3 ndeshje pezullim. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në stadium, në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.
Zyrtari i KF “Laçi”, Kleo Laska, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9 ndeshje pezullim.
Zyrtari i KF “Laçi”, Klevis Hima, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9 ndeshje pezullim.
FK “Partizani” paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatoreëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.
KF “Vllaznia”, paralajmërohet se në rast përsëritje të vonesave në fillimin e lojës do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje